Teherani: Teksti i marrëveshjes së mundshme me SHBA-në është pothuajse i finalizuar

Teherani: Teksti i marrëveshjes së mundshme me SHBA-në

Zyrtarët iranianë kanë bërë të ditur se negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme po përparojnë, megjithëse kanë mohuar pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se një marrëveshje është arritur tashmë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, deklaroi në televizionin shtetëror se teksti i një marrëveshjeje është pothuajse i finalizuar. Komentet e tij u transmetuan nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Megjithatë, Baqaei theksoi se Teherani vazhdon të ketë vështirësi për t’i besuar Uashingtonit, duke akuzuar SHBA-në se ndryshon vazhdimisht qëndrimet gjatë procesit të negociatave.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve Tasnim, e afërt me Trupat  e Gardës Revolucionare, raportoi se marrëveshja, e cila përbëhet nga 14 pika, ende nuk është konfirmuar përfundimisht.

Deklaratat vijnë pasi presideeti  Trump tha se “sapo kishin arritur një zgjidhje të madhe të luftës me Iranin”, vetëm disa orë pasi njoftoi anulimin e një raundi tjetër sulmesh të planifikuara kundër vendit, pas përshkallëzimit të përplasjeve ushtarake mes palëve gjatë kësaj jave.

Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale, Donald Trump tha se dokumentet po përgatiten dhe mund të jenë së shpejti gati për nënshkrim. Ai sugjeroi gjithashtu se ceremonia e nënshkrimit mund të zhvillohet në Evropë, pa përmendur një vend apo qytet të caktuar.

Presidenti Trump ka deklaruar disa herë se një marrëveshje me Iranin është pranë, por deri tani ajo nuk është materializuar, më shumë se tre muaj pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet kundër Iranit më 28 shkurt.

Pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbeten programi bërthamor iranian dhe Ngushtica e  Hormuzit, të cilën Irani e ka bllokuar në mënyrë efektive si përgjigje ndaj sulmeve amerikano-izraelite, duke shkaktuar tronditje të mëdha në tregtinë globale të energjisë.

Sipas raportimeve, dokumenti që ndodhet aktualisht në tryezë synon të shërbejë si një marrëveshje kornizë, e cila do të krijojë bazën për negociata të mëtejshme ndërmjet SHBA-së dhe Iranit.

EMISIONET