Clint Eastwood i jep fund karrierës regjisoriale pas më shumë se 6 dekadash në Hollywood!

Clint Eastwood i jep fund karrierës regjisoriale pas më shumë se

Aktori dhe regjisori legjendar Clint Eastwood është tërhequr nga regjia aktive e filmave, sipas deklaratave të djalit të tij, Kyle Eastwood, duke shënuar fundin e një epoke në historinë e kinemasë botërore.

Lajmi u bë i ditur gjatë një interviste të Kyle Eastwood për një media franceze, ku ai foli për marrëdhënien dhe bashkëpunimin me të atin ndër vite.

Sipas tij, Clint Eastwood tashmë është tërhequr nga xhirimet aktive, ndonëse ende nuk ka një njoftim zyrtar nga vetë aktori apo studiot filmike.

“Kam shumë kujtime të bukura nga puna me të. Ai tani është në pension… pata shumë fat që kam punuar me të në disa filma”, u shpreh Kyle Eastwood.

Clint Eastwood, i cili së fundmi ka mbushur 96 vjeç, është një nga figurat më ikonike të Hollywood-it.

Ai u bë i njohur fillimisht përmes filmave western të Sergio Leone-s, përpara se të konsolidonte famën botërore me rolin e inspektorit Harry Callahan në serinë “Dirty Harry”.

Më pas, ai ndërtoi një karrierë të suksesshme edhe si regjisor, duke realizuar filma të vlerësuar si Unforgiven, Mystic River, Million Dollar Baby, Gran Torino dhe American Sniper.

Dy prej tyre, Unforgiven dhe Million Dollar Baby, u nderuan me çmimin Oscar për Filmin më të Mirë, ndërsa Eastwood ka fituar gjithashtu dy Oscar për Regjinë më të Mirë.

Filmi i tij i fundit, drama gjyqësore Juror #2, me aktorë si Nicholas Hoult, Toni Collette, Kiefer Sutherland dhe J.K. Simmons, pritet të shënojë përmbylljen e një karriere mbi gjashtë dekada, e cila ka lënë gjurmë të thella në historinë e kinemasë.

EMISIONET