Të paktën 15 viktima mes protestave dhe përleshjeve në Kashmir
Situata në Kashmirin e administruar nga Pakistani po përshkallëzohet me shpejtësi. Të paktën 15 persona kanë humbur jetën gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, ndërsa mijëra qytetarë vazhdojnë marshimin drejt kryeqytetit rajonal. Protestat janë nxitur nga kundërshtimi ndaj rezervimit të vendeve për refugjatët në zgjedhjet e ardhshme lokale. Më shumë detaje në materialin në vazhdim.

Të paktën 15 persona, mes tyre 11 civilë dhe katër efektivë të sigurisë, janë vrarë në përleshjet që kanë shpërthyer në Kashmirin e administruar nga Pakistani, ndërsa mijëra protestues vazhdojnë marshimin drejt kryeqytetit rajonal, Muzaffarabad.
Dhuna shpërtheu pasi Komiteti i Përbashkët i Veprimit Awami, bëri thirrje për protesta masive kundër vendimit për rezervimin e 12 vendeve parlamentare për refugjatët e Kashmirit në zgjedhjet e ardhshme rajonale.
Autoritetet e shpallën grupin të jashtëligjshëm dhe urdhëruan arrestimin e drejtuesve të tij, duke e akuzuar për veprimtari që rrezikojnë sigurinë dhe rendin publik. Megjithatë, mijëra qytetarë iu bashkuan marshimit, duke çuar në përplasje të dhunshme me forcat e sigurisë në disa zona të rajonit.
Sipas autoriteteve lokale, mbi 10 mijë protestues ndodhen në rrugën drejt Muzaffarabadit, ndërsa forcat e sigurisë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kufizuar lëvizjet në disa qytete.
Përveç viktimave, mbi 50 persona janë plagosur gjatë përleshjeve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet.
Organizata Amnesty International ka dënuar reagimin e forcave të sigurisë, duke folur për një shtypje të dhunshme të protestave që përfshin arrestime masive, kufizime të internetit dhe përdorim të forcës vdekjeprurëse.
Zhvillimet e fundit kanë rikthyer vëmendjen ndërkombëtare mbi Kashmirin, një territor që mbetet prej më shumë se shtatë dekadash një nga pikat më të nxehta të konfliktit mes Indisë dhe Pakistanit.


