STUHIA GODET SPECIEN UNIKE! Stuhitë vr*në 7 % të popullatës së mbetur të orangutangut Tapanuli
Një studim i ri ngre alarmin për fatin e orangutangut Tapanuli, specia më e rrallë e majmunëve të mëdhenj në botë. Sipas studiuesve, vetëm katër ditë me reshje ekstreme dhe rrëshqitje dheu në ishullin indonezian të Sumatrës kanë vrarë rreth 7 për qind të gjithë popullatës së mbetur. Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e shtyjnë specien drejt zhdukjes.

Një nga speciet më të rralla dhe më të rrezikuara në planet po përballet me një kërcënim të ri serioz. Sipas një studimi të publikuar së fundmi, katër ditë me reshje ekstreme dhe rrëshqitje masive dheu në ishullin indonezian të Sumatrës kanë vrarë të paktën 58 orangutangë Tapanuli, ose rreth 7 për qind të gjithë popullatës së mbetur.
Shkencëtarët vlerësojnë se në natyrë kanë mbetur më pak se 800 individë të kësaj specieje, e cila u identifikua zyrtarisht vetëm në vitin 2017 dhe konsiderohet orangutangu më i rrallë në botë.
Katastrofa natyrore u shkaktua nga Cikloni Senyar, i cili goditi Sumatrën në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Stuhia solli përmbytje dhe rrëshqitje dheu shkatërruese, duke shkaktuar mbi një mijë viktima njerëzore dhe dëme të mëdha mjedisore.
Sipas autorëve të studimit, numri prej 58 orangutangësh të ngordhur është një vlerësim konservator, pasi nuk përfshin dëmet e shkaktuara në habitatin pyjor dhe humbjen e burimeve ushqimore që mund të ndikojnë në mbijetesën afatgjatë të specieve.
Studiuesit paralajmërojnë se ngjarje të tilla ekstreme pritet të bëhen më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike. Kjo e bën edhe më të pasigurt të ardhmen e orangutangut Tapanuli, një specie që sipas studimeve mund të zhduket nëse humbet më shumë se 1 për qind të popullatës së saj çdo vit.
Përballë këtij rreziku, autoritetet indoneziane kanë pezulluar përkohësisht projektet e mëdha industriale në pyllin e mbrojtur Batang Toru, habitatin kryesor të orangutangëve Tapanuli.
Shkencëtarët theksojnë se mbijetesa e kësaj specieje do të varet nga masa të forta mbrojtëse, financime ndërkombëtare dhe politika që marrin parasysh ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike.
Sipas tyre, ende ekziston mundësia për të shmangur zhdukjen e parë moderne të një specieje të madhe majmuni, por koha për të vepruar po bëhet gjithnjë e më e kufizuar.


