Shefi i NATO: SHBA mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive të aleancës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte riafirmoi sot angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës transatlantike, duke theksuar se Washingtoni vazhdon të luajë rol udhëheqës në mbrojtjen kolektive të NATO.
“SHBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj NATO”, u tha Rutte gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për mediat me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store në Bruksel.
“Ne e shohim atë angazhim çdo ditë në të gjithë aleancën me trupat amerikane në Evropë, udhëheqjen e SHBA-së brenda aleancës dhe kontributet e SHBA në mbrojtjen tonë kolektive”, tha ai kur u pyet nëse Norvegjia mund të mbështetet ende te NATO dhe SHBA në rast të një sulmi.
Rutte tha se angazhimi i Washingtonit demonstrohet nëpërmjet veprimeve konkrete, duke vënë në dukje se SHBA-ja vazhdon të mbështesë çdo ditë arkitekturën e sigurisë së NATO. Ai theksoi rëndësinë strategjike në rritje të Arktikut dhe Veriut të Lartë, duke përshkruar ekspertizën dhe udhëheqjen e Norvegjisë si thelbësore për qëndrimin e aleancës në rajon.
Ndërkaq, Store theksoi se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes duhet të koordinohet midis aleatëve për të forcuar aftësitë e përgjithshme të NATO-s dhe planet rajonale të mbrojtjes. Ai vuri në dukje se të gjitha vendet nordike janë integruar tani në strukturën komanduese të NATO në Norfolk, Virxhinia, duke reflektuar realitetet në zhvillim të sigurisë dhe përgjegjësinë në rritje të Evropës brenda aleancës.
Më herët sot, Store u takua edhe me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

