Stoltenberg kërkon 100 miliardë euro për pesë vjet për Ukrainën

Stoltenberg kërkon 100 miliardë euro për pesë vjet për

Ministrat e jashtëm të NATO-s filluan sot një takim dy ditor në Bruksel për të diskutuar, ndër të tjera edhe për propozimin për të krijuar një fond me një vlerë prej 100 miliardë eurosh për Ukrainën.

Propozimi i shefit të aleancës Jens Stoltenberg u kërkoi atyre të garantonin furnizime afatgjata me armë për Kievin.

NATO gjithashtu po diskuton mundësinë që një mision i aleancës të merrte më shumë kontroll mbi koordinimin e furnizimit me armë të Kievin nga një grup i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që e bën aktualisht.

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg hapi takimin dy ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel ndërsa aleanca ka njoftuar se ai ka sugjeruar një plan pesë vjeçar për Ukrainën në vlerë prej 100 miliardë eurosh.

Para takimit, zoti Stoltenberg bëri thirrje që anëtarët e NATO-s, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, të shpejtojnë vendimarrjen për ndarjen e ndihmave ushtarake.

“Shtetet e Bashkuara janë aleati më i madh dhe po ofrojnë mbështetjen më të madhe ushtarake.

Fakti që nuk ka pasur një marrëveshje në Kongresin amerikan për vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, ka pasoja”, tha zoti Stoltenberg.

Ndihma amerikane prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve, por ka shpresa se ligjvënësit mund të ndërmarrin hapa për ta miratuar atë në javët e ardhshme.

Plani i sugjeruar nga zoti Stoltenberg mund të ndryshojë deri në takimin e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet në muajin korrik në Uashington.

Plani u mbështet nga anëtarët më të vendosur pro Ukrainës si Polonia dhe shtetet baltike.

Disa vende të tjera u treguan më të kujdesshme sidomos për sigurimin e fondeve që ka kërkuar zoti Stoltenberg.

Ministri i jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba, i cili po merr pjesë në takimin e Nato-s, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, tha se Ukrainës i duhen urgjentisht 5 deri në 7 sisteme të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’ nga arsenali prej 100 të tillash që kanë shtetet që mbështesin Ukrainën.

Nëse kjo nuk ndodh, zoti Kuleba paralajmëroi përhapjen e luftës në gjithë Evropën.

“Kur them se Evropa do të jetë në luftë dhe raketat do të bien mbi Brukselin dhe qytetet e tjera evropiane, nuk e ekzagjeroj. E gjithë kjo do të ndodhë nëse Ukraina nuk e fiton luftën kundër Rusisë.

Pra, mënyra më e mirë për të shpëtuar sistemet tuaja ‘Patriot’ dhe ushtarët tuaj nga vdekja është të dërgoni disa prej tyre në Ukrainë dhe t'u jepni ushtarëve ukrainas gjithçka që u nevojitet”, tha zoti Kuleba.

Plani i zotit Stoltenberg gjithashtu sugjeron që bashkërëndimi i furnizimit me armë të Kievit, t’i kalojë një misioni evropian brenda NATO-s, nga grupi që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara dhe që e bën këtë tani.

Zyrtarët e NATO-s thonë se kjo krijon siguri për dërgimin e armatimit në Ukrainë në rast të një kthimi të mundshëm të zotit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi dy ditor do të përqëndrohet edhe në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse evropiane, pasi zoti Trump, ka thënë që nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, do ta kushtëzonte përkrahjen amerikane për NATO-n me rritjen e shpenzimeve buxhetore të mbrojtjes nga vendet evropiane.

“Për ne si evropianë, kjo do të thotë që së pari të forcojmë shtyllën evropiane brenda kësaj aleance transatlantike.

Gjermania këtë vit do të shpenzojë 2.1% të prodhimit të brendshëm bruto për këtë qëllim”, tha para takimit ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Takimi në Bruksel po mbahet ndërsa NATO të enjten shënon 75 vjetorin e themelimit. NATO u themelua pas Luftës së Dytë Botërore për t'u përballur me kërcënimin nga Bashkimi Sovjetik.

Rusia tha të mërkurën se NATO-ja është kthyer në mentalitetin e Luftës së Ftohtë./VOA

 



 

EMISIONET