Putin parashikon humbje territoriale për Ukrainën: Tokat perëndimore do të kthehen te Polonia, Hungaria dhe Rumania

Putin parashikon humbje territoriale për Ukrainën: Tokat

Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë një tjetër koment për të ardhmen e Ukrainës, duke pretenduar se vendi do të humbasë në të ardhmen territoret e tij perëndimore, të cilat sipas tij historikisht i kanë përkitur Polonisë, Hungarisë dhe Rumanisë.

Gjatë një takimi me zyrtarë të Marinës Ruse, ai foli edhe për marrëdhëniet mes Moskës dhe Kievit, duke përsëritur se Rusia ka qenë garantuesi i vetëm i integritetit territorial të Ukrainës.

Sipas Putinit, humbja e këtyre territoreve nuk është domosdoshmërisht një zhvillim i afërt, por një proces që, në vlerësimin e tij, do të ndodhë me kalimin e kohës.

"Jam i sigurt se herët a vonë Ukraina do t’i humbasë këto territore perëndimore, ato që dikur i përkisnin Polonisë, Hungarisë dhe Rumanisë. Kjo mund të mos ndodhë nesër apo pas një viti. Mund të duhen dy, dhjetë apo edhe pesëmbëdhjetë vjet, por historia përfundimisht do t’i vendosë gjërat në vendin e tyre", u shpreh presidenti rus.

Në të njëjtin takim, Putin përsëriti pretendimin se Rusia ishte garantuesi i vetëm i integritetit territorial të Ukrainës dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan pasi autoritetet në Kiev e konsideruan Rusinë si armike.

"Kishte vetëm një garantues të integritetit territorial të Ukrainës dhe ai ishte Rusia. Megjithatë, ata vendosën se ishte në interesin e tyre ta shpallnin Rusinë armiken e tyre", tha ai.

EMISIONET