SHBA shpall në kërkim “El 03”/ Kreu i ri i kartelit më të fuqishëm meksikan është shtetas amerikan

Një situatë e pazakontë ka vendosur në vështirësi autoritetet amerikane në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Personi që Uashingtoni e konsideron drejtuesin e ri të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), një prej organizatave kriminale më të fuqishme në botë, është shtetas amerikan.
Bëhet fjalë për Juan Carlos Valencia, 41 vjeç, i njohur me nofkën “El 03”, i lindur në Santa Ana të Kalifornisë. Autoritetet amerikane e identifikojnë atë si pasardhësin e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, ish-kreu i CJNG-së.
Pas vdekjes së “El Mencho”, SHBA e ka shpallur Valencian një nga objektivat kryesorë të luftës kundër kartelit dhe ka vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacionet që mund të çojnë në arrestimin e tij.
Historia e Valencia-s lidhet prej vitesh me botën e krimit. Ai është djali i Armando Valencia Cornelio, themeluesit të Kartelit Milenio, ndërsa nëna e tij, Rosalinda González Valencia, është konsideruar një figurë e rëndësishme në strukturat drejtuese të CJNG-së. Më pas, Valencia u rrit nën ndikimin e “El Mencho”.
Pengesë për autoritetet amerikane mbetet shtetësia e tij e dyfishtë, amerikane dhe meksikane. Ligjet në SHBA kufizojnë operacionet që mund të rrezikojnë jetën e një qytetari amerikan, duke e bërë më të ndërlikuar një ndërhyrje të drejtpërdrejtë.
Një nga skenarët e mundshëm është që shërbimet amerikane të mbledhin informacionet dhe t’ua kalojnë autoriteteve meksikane, të cilat do të kryenin operacionin për arrestimin e tij.
Ndërkohë, brenda CJNG-së raportohet se ekzistojnë përplasje të brendshme dhe ende nuk është e qartë nëse “El 03” ka marrë kontrollin e plotë të organizatës.
Megjithatë, vendimi i SHBA-së për ta shpallur atë objektiv kryesor tregon se Uashingtoni e konsideron Valencian një nga figurat më të rëndësishme në luftën kundër një prej kartelëve më të fuqishëm të drogës në botë.


