NATO në udhëkryq / Rusia, Ukraina dhe përplasjet mes aleatëve në qendër të samitit të Ankarasë

Samiti i NATO-s në Ankara zhvillohet në një moment vendimtar për të ardhmen e Aleancës, ku liderët po përpiqen të gjejnë zgjidhje për çështjet më të rëndësishme të sigurisë, nga lufta në Ukrainë deri te forcimi i mbrojtjes evropiane dhe ruajtja e unitetit mes aleatëve.
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Rusia duhet ta kuptojë gradualisht se nuk mund të arrijë objektivat e saj ushtarake në Ukrainë. Gjermania ka marrë një rol udhëheqës në mbështetjen e Kievit, duke kontribuar në vendimin që Ukraina të marrë rreth 140 miliardë euro ndihmë gjatë dy viteve të ardhshme.
Sipas Merz, rritja e investimeve gjermane në mbrojtje nuk bëhet për t’i bërë qejfin askujt, por për të garantuar sigurinë e vetë Evropës.
“Ne nuk po e bëjmë këtë sakrificë për t'i bërë qejfin dikujt. E bëjmë sepse është e nevojshme për mbrojtjen dhe sigurinë tonë. Rusia mbetet një kërcënim serioz dhe çdo ditë teston vendosmërinë tonë”, deklaroi kancelari gjerman në Ankara.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, ku falënderoi aleatët për mbështetjen e vazhdueshme, por ngriti sërish çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancën Veri-Atlantike.
“A besoni vërtet se është e drejtë të lihet jashtë NATO-s një vend dhe një popull me një kapacitet të tillë mbrojtës?”, pyeti Zelensky, duke bërë të qartë se Kievi vazhdon të kërkojë anëtarësim të plotë.
Megjithatë, kjo kërkesë mbetet një nga çështjet më të ndërlikuara për NATO-n, për shkak të pasojave strategjike që mund të sjellë përballë Rusisë.
Në krahun tjetër, presidenti amerikan Donald Trump dha sinjale kritike ndaj disa aleatëve të NATO-s. Ai deklaroi se ishte i zhgënjyer nga mënyra se si disa vende reaguan gjatë konfliktit me Iranin dhe vuri në pikëpyetje nivelin e angazhimit reciprok brenda Aleancës.
Trump tha se disa shtete, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, nuk e mbështetën Shtetet e Bashkuara në momentet kur sipas tij kjo ishte e nevojshme.
“Ne i ndihmojmë ata, por nuk jam i sigurt nëse ata do të ishin aty për ne. Pse të shpenzojmë qindra miliarda dollarë nëse ata nuk janë aty për ne?”, deklaroi presidenti amerikan.
Pavarësisht përplasjeve të brendshme, samiti i Ankarasë synon të rikthejë një frymë bashkëpunimi mes aleatëve dhe të përcaktojë hapat e ardhshëm të NATO-s përballë kërcënimeve të reja.
Sfida kryesore e liderëve mbetet ruajtja e ekuilibrit mes forcimit të qëndrimit ndaj Rusisë dhe shmangies së përçarjeve brenda një aleance që mbështetet te solidariteti mes vendeve anëtare./DW




