Ronaldo përballet me gazetarin kritik ndaj tij / Bëj një pyetje të mirë, e di që nuk më pëlqen!

Ronaldo përballet me gazetarin kritik ndaj tij / Bëj një pyetje

Cristiano Ronaldo ka qenë protagonist jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, gjatë konferencës për shtyp në prag të sfidës mes Portugalisë dhe Spanjës në Kupën e Botës 2026.

Sulmuesi portugez u përball me gazetarin brazilian Marcelo Bechler, i njohur për kritikat e tij ndaj Ronaldos dhe vlerësimet e shpeshta për rivalin e tij të madh, Lionel Messin.

Gjatë konferencës, Ronaldo vuri re praninë e gazetarit në sallë dhe vendosi t’i drejtohej drejtpërdrejt, duke i kërkuar një pyetje që sipas tij të ishte më pozitive.

“Po e sfidoj atë zotërinë atje të më bëjë një pyetje të mirë, sepse e di që nuk më pëlqen”, tha Ronaldo, duke e treguar me gisht.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” vijoi me një tjetër deklaratë të fortë, duke thënë se nuk harron njerëzit që nuk e kanë vlerësuar gjatë karrierës së tij.

“Unë i mbaj mend të gjithë ata që nuk më kanë vlerësuar. Ti je një prej tyre. Fytyrat e njerëzve nuk i harroj lehtë”, u shpreh ylli portugez.

Pas kësaj replike, Bechler e pyeti Ronaldon se cila është sfida më e madhe për të luajtur në një Kupë Bote në moshën 41-vjeçare.

Përgjigjja e Ronaldos erdhi me humor dhe ironi: “Gjëja më e vështirë është të flas me disa prej jush”.

Megjithatë, sulmuesi portugez theksoi se qëndrimi në nivelet më të larta të futbollit për kaq shumë vite kërkon sakrifica të mëdha, përkushtim dhe përshtatje të vazhdueshme me kalimin e kohës.

Ronaldo konfirmoi gjithashtu se Botërori 2026 do të jetë turneu i tij i fundit me fanellën e Portugalisë. Para ndeshjes së 1/8-ave ndaj Spanjës, ai bëri të ditur vendimin për të mbyllur kapitullin e tij në Kupat e Botës.

“Le të jetë ky Botërori im i fundit. Ky është Botërori im i fundit dhe shpresoj që ndeshja e nesërme të mos jetë e fundit për mua”, deklaroi Ronaldo.

Në moshën 41-vjeçare, kapiteni portugez vazhdon të jetë një nga figurat më të mëdha të historisë së futbollit, ndërsa ky Botëror shënon kapitullin e fundit të aventurës së tij në skenën më të madhe të këtij sporti.

EMISIONET