Samiti i NATO-s në Ankara, Von der Leyen paralajmëron “epokë të re sigurie” për Evropën: Rriten investimet në mbrojtje

Samiti i NATO-s në Ankara, Von der Leyen paralajmëron

Liderët e vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur në Ankara për samitin dyditor të Aleancës, ku në fokus janë forcimi i mbrojtjes evropiane, rritja e shpenzimeve ushtarake dhe përballimi i sfidave të reja të sigurisë.

Para nisjes së diskutimeve zyrtare, udhëheqësit u pritën nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në kompleksin presidencial, ku u zhvillua një darkë zyrtare me pjesëmarrjen e liderëve të NATO-s dhe të ftuarve të nderit.

Kancelari gjerman Friedrich Merz e cilësoi Turqinë një “partner dhe aleat të rëndësishëm”, ndërsa falënderoi Erdoganin për mikpritjen gjatë takimit në Ankara.

Në këtë aktivitet morën pjesë figura të rëndësishme të Aleancës, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, kryeministrin kanadez Mark Carney, kryeministrin bullgar Rumen Radev dhe presidentin finlandez Alexander Stubb.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Evropa ka hyrë në një fazë të re të sigurisë dhe se vendet anëtare të Bashkimit Evropian po rrisin ndjeshëm investimet në mbrojtje.

“Kemi hyrë në një epokë të re të sigurisë evropiane. Shtetet anëtare të BE-së po riarmatosen për të mbrojtur Evropën dhe për të forcuar Aleancën”, shkroi Von der Leyen.

Ajo theksoi se Evropa po rindërton bazën e saj industriale të mbrojtjes dhe po krijon kapacitete të reja prodhuese, duke nënvizuar nevojën për një rritje të madhe të investimeve ushtarake.

Von der Leyen përmendi edhe programin “ReArm Europe”, i cili synon të mobilizojë rreth 800 miliardë euro për shpenzime të mbrojtjes deri në vitin 2030.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kërkoi një transformim të madh të industrisë së mbrojtjes, duke bërë thirrje për një “revolucion transatlantik” në prodhimin ushtarak.

“Duhet të sigurohemi që fuqinë tonë ekonomike po e shndërrojmë në kapacitete ushtarake, duke i kthyer fondet në veprim – nga planet e mbrojtjes te dronët, raketat dhe sistemet e interceptimit”, deklaroi Rutte.

Gjatë samitit, NATO prezantoi një seri projektesh të reja ushtarake me vlerë miliarda dollarë, të cilat synojnë modernizimin e kapaciteteve të Aleancës.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka vijuar të kërkojë një angazhim më të madh financiar nga aleatët, duke deklaruar se NATO nuk mund të funksionojë pa kontributin ushtarak dhe financiar të Shteteve të Bashkuara.

Samiti i Ankarasë pritet të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të politikave të mbrojtjes së NATO-s, në një periudhë kur vendet evropiane po përballen me presion për të rritur aftësitë e tyre ushtarake./DW

EMISIONET