Pas b*mbardimeve amerikane, evakuohen mbi 200 pacientë nga spitali në Iran

Autoritetet shëndetësore kanë evakuuar një spital për kancer në qytetin jugperëndimor iranian të Ahvazit, pasi sulmet ajrore amerikane goditën objektin aty pranë. 211 pacientë, shumë prej të cilëve po i nënshtroheshin kimioterapisë ose kishin nevojë për oksigjen dhe ventilim mekanik, u evakuuan nga Spitali i Specializuar Baghaei për arsye sigurie.
Mediat e huaja bëjnë me dije se drejtori i spitalit, Reza Bazar, tha se sulmet amerikane e kishin nxjerrë jashtë funksionit objektin, por nuk pati raportime të menjëhershme për viktima. Nga ana e tij, drejtori i spitalit, Dr. Majid Bouazar, tha se të 211 pacientët u detyruan të transferoheshin në institucione të tjera shëndetësore.
"Pacientë me oksigjen dhe fëmijë në krahë"
Një anëtar i stafit të infermierisë përshkroi skena paniku gjatë evakuimit.
"Këta janë pacientë veçanërisht të prekshëm, shumë prej tyre pacientë me kancer. Zona përreth spitalit u bombardua rëndë. Disa pacientë ishin të lidhur me oksigjen ose ventilatorë. Kishte njerëz që mbanin fëmijë në krahë, të tjerë që dilnin me injeksione intravenoze në duar dhe të tjerë që transportoheshin në karroca me rrota. Të gjithë u detyruan të largoheshin nga spitali", shtoi ai.
Teherani dënon "sulmin barbar"
Ministria e Jashtme iraniane dënoi me forcë bombardimet amerikane, duke i quajtur ato një sulm barbar ndaj një qendre shëndetësore. Zëdhënësi i ministrisë, Esmail Baghai, tha në një cicërimë në Twitter se sulmi kujtonte sulmet izraelite ndaj qendrave shëndetësore dhe shkaktoi ankth dhe dhimbje të forta tek fëmijët e shtruar në spital.
Ai përsëriti se 211 pacientë që po i nënshtroheshin kimioterapisë u detyruan të largoheshin nga spitali për shkak të sulmeve ajrore. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara ndaj akuzave të Teheranit.

