Jep dorëheqjen Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene

Jep dorëheqjen Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene

Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene, ka dhënë dorëheqje të martën së bashku me kabinetin e saj, duke i dhënë fund një mandati prej vetëm dhjetë muajsh në krye të qeverisë.

Pas mbledhjes së fundit të kabinetit, Ruginiene ka njoftuar se largimi i saj është pjesë e një procesi normal politik dhe se postet politike nuk janë të përhershme.

“Asgjë në politikë nuk është e përhershme dhe ne si politikanë duhet ta kuptojmë se pozitat dhe funksionet tona nuk janë të përjetshme. Na jepet një periudhë e caktuar për të bërë punë të mira dhe besoj se kjo qeveri e ka shfrytëzuar siç duhet atë kohë”, ka deklaruar ajo, raportoi “Euronews”.

Ruginiene pritet të rikthehet në postin e ministres së Çështjeve Sociale në qeverinë e re, e cila sipas raportimeve pritet të udhëhiqet nga lideri socialdemokrat Mindaugas Sinkevicius.

Nëse emërimi i tij miratohet, ai do të bëhet kryeministri i tretë socialdemokrat i vendit që nga zgjedhjet e vitit 2024.

Mandati i shkurtër i Ruginienes u karakterizua nga një sërë krizash dhe sfidash politike, përfshirë incidente të sigurisë në kufi, hyrje të paautorizuara të dronëve në hapësirën ajrore të vendit, miratimin e buxhetit rekord për mbrojtjen prej 5.38 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si dhe shkarkimin e ministrit të Kulturës dhe atij të Mbrojtjes.

Qeveria e saj u përball gjithashtu me kritika lidhur me udhëtimet zyrtare në Itali dhe Vatikan, ku ajo kishte marrë me vete anëtarë të familjes, si dhe me mënyrën e trajtimit të rrjedhjes së të dhënave nga Qendra e Regjistrave.

Ruginiene pati marrë detyrën në gusht të vitit të kaluar, pas dorëheqjes së paraardhësit të saj, Gintautas Paluckas, i cili u përball me akuza për sjellje joetike financiare që lidhen me kredi, fonde të Bashkimit Evropian dhe interesa biznesore të familjarëve të tij.

EMISIONET