Kim Jong Un paralajmëron zgjerim të arsenalit bërthamor, Koreja e Veriut flet për rrezikun e një lufte në Gadishullin Korean

Kim Jong Un paralajmëron zgjerim të arsenalit bërthamor, Koreja e

Koreja e Veriut ka bërë të ditur se do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj ushtarake dhe programin bërthamor, në një kohë kur tensionet në Gadishullin Korean mbeten të larta.

Gjatë një takimi tre-ditor të Partisë së Punëtorëve, lideri Kim Jong Un akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për shtimin e pranisë ushtarake në rajon. Sipas tij, modernizimi i ushtrive dhe planet për pajisje të reja ushtarake po rrisin rrezikun e një përshkallëzimi të situatës.

Kim tha se Pheniani do të vazhdojë të zgjerojë atë që e quan forcë parandaluese bërthamore për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e vendit.

Mediat shtetërore koreano-veriore raportuan se programi bërthamor do të mbetet një nga prioritetet kryesore të vendit edhe në vitet e ardhshme. Kjo lëvizje pritet të vështirësojë çdo përpjekje për rikthimin e negociatave mbi çarmatosjen bërthamore.

Analistët vlerësojnë se mesazhet e fundit nga Pheniani tregojnë se Koreja e Veriut nuk ka ndërmend të heqë dorë nga arsenali i saj bërthamor, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare që vazhdojnë prej vitesh.

Marrëdhëniet mes dy Koreve mbeten të tensionuara, ndërsa lufta koreane e viteve 1950-1953 u mbyll me një armëpushim dhe jo me një marrëveshje paqeje, duke i lënë teknikisht të dy vendet ende në gjendje lufte.

EMISIONET