Hap i ri drejt dialogut/ SHBA-ja dhe Irani mbyllin me sukses raundin teknik dhe përgatiten për takime të nivelit të lartë

Bisedimet teknike mes Shteteve të Bashkuara, Iranit dhe vendeve ndërmjetëse kanë përfunduar me sukses gjatë natës së së martës, duke shënuar një tjetër hap në përpjekjet për avancimin e dialogut mes palëve.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, bëri të ditur se gjatë takimeve është arritur dakordësi për mënyrën se si do të zhvillohen raundet e ardhshme të negociatave.
Sipas tij, faza e radhës do të kalojë në nivel politik dhe do të përfshijë zyrtarë të lartë nga vendet pjesëmarrëse.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se në takimin e ardhshëm pritet të marrin pjesë kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance.
Po ashtu, në bisedime pritet të jenë të pranishëm edhe kryeministrat e Pakistanit dhe Katarit, vende që kanë luajtur rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e kontakteve mes palëve.
Raundi i ri i negociatave shihet si një moment i rëndësishëm për vazhdimin e dialogut dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje ndaj çështjeve që prej kohësh kanë tensionuar marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit.


