Kalon reforma e Macron, Këshilli Kushtetues i Francës i jep "dritën jeshile" ndryshimeve për pensionin
Këshilli Kushtetues i Francës ratifikoi sot, 14 Prill, planet e qeverisë së presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e daljes në pension në 64 vjeç nga 62.
Në veçanti, Këshilli dha "dritën jeshile" për pikat kryesore të planit të reformës së sistemit të pensioneve.
Kjo është një nga reformat “flamur” të mandatit të dytë të Emmanuel Macron, kundër të cilit sindikatat, partitë opozitare dhe demonstruesit kanë protestuar prej muajsh.
Nga ana tjetër, gjyqtarët kritikuan gjashtë dispozita të projektligjit, të një rëndësie të vogël.
Ndër dispozitat e refuzuara ishte krijimi i "indeksit të të moshuarve".
Anëtarët e këshillit kundërshtuan njëkohësisht kërkesën për një referendum të përbashkët të nismës (RIP) të paraqitur nga e majta.
Një kërkesë e dytë, e paraqitur më vonë, pritet për një vendim të ri më 3 maj.
Opozita është e vendosur të vazhdojë luftën kundër reformës
Në të njëjtën kohë, partitë më të mëdha opozitare në Francë thonë se janë të vendosura të vazhdojnë luftën e tyre kundër reformës.
"Lufta vazhdon," kundërshtoi lideri i së majtës radikale Jean-Luc Mélenchon, ndërsa liderja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen tha se "e ardhmja politike e reformës së pensioneve nuk është e vulosur", pas vendimit të Këshillit Kushtetues.
Macron thërret sindikatat në një takim në Elysee
Përpara se të shpallej ratifikimi i reformës, Emmanuel Macron u bëri thirrje sindikatave franceze që të takohen të martën me të, "sido qoftë vendimi i Këshillit Kushtetues".
“Do të jetë doemos fillimi i një cikli që presidenti dhe qeveria do të vazhdojnë në javët në vijim me partnerët socialë.Dera e Elysee do të mbetet e hapur, pa kushte, për këtë dialog”.
Sindikatat franceze kanë organizuar disa demonstrata gjatë katër muajve të fundit (që nga janari) kundër ndryshimeve të pensioneve.