Më pak yndyrë nuk do të thotë një zemër më e shëndetshme, studimi nxjerr në pah fuqinë e dietës mesdhetare

Një studim i ri sjell të dhëna të rëndësishme për lidhjen mes ushqimit dhe shëndetit të zemrës, duke treguar se dieta mesdhetare mund të ofrojë mbrojtje më të madhe ndaj sëmundjeve kardiovaskulare krahasuar me një dietë me pak yndyrë.
Sëmundjet e zemrës mbeten ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në botë dhe për vite me radhë studiuesit kanë kërkuar modelin ushqimor që ndihmon më shumë në uljen e rrezikut.
Studimi, i publikuar në revistën “American Journal of Clinical Nutrition”, krahasoi tre mënyra të të ushqyerit: dietën mesdhetare, rekomandimet ushqimore të Shoqatës Amerikane të Zemrës dhe dietën me pak yndyrë.
Studiuesit analizuan të dhënat nga dy prej studimeve më të mëdha afatgjata në Shtetet e Bashkuara, ku janë ndjekur për vite zakonet ushqimore, mënyra e jetesës dhe gjendja shëndetësore e dhjetëra mijëra personave.
Rezultatet u vlerësuan për një periudhë 20-vjeçare, duke krahasuar ndikimin e secilit model ushqimor në rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Tek personat me rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës, dieta me pak yndyrë rezultoi me një rrezik të vlerësuar prej 35.9%, ndërsa dieta mesdhetare me 28.2%. Modeli ushqimor i Shoqatës Amerikane të Zemrës u lidh me një rrezik prej 31.2%.
Sipas studiuesve, diferencat në përqindje mund të duken të vogla, por ato kanë rëndësi në aspektin shëndetësor, veçanërisht kur shihen në një periudhë të gjatë kohore.
Dieta mesdhetare, e pasur me vaj ulliri, peshk, arra, perime dhe bishtajore, u shoqërua gjithashtu me më pak raste të sëmundjeve koronare dhe më pak vdekje nga shkaqe kardiovaskulare.
Studimi nuk gjeti prova të qarta se ndonjë prej dietave kishte ndikim të rëndësishëm në uljen e rrezikut për goditje në tru, pasi kjo sëmundje lidhet me shumë faktorë të ndryshëm.
Studiuesit kujtojnë se analiza ka edhe kufizime, pasi të dhënat mbi ushqimin u bazuan në deklarimet e pjesëmarrësve dhe shumica e personave të përfshirë ishin profesionistë të shëndetësisë në SHBA.
Përfundimi kryesor i studimit është se vetëm reduktimi i yndyrave nuk mjafton për një zemër më të shëndetshme.
Cilësia e ushqimeve që konsumohen ka një rol më të rëndësishëm sesa thjesht ulja e sasisë së yndyrës.
Një mënyrë ushqyerjeje që përfshin më shumë fruta, perime, drithëra të plota, peshk, vaj ulliri dhe ushqime më pak të përpunuara lidhet me përfitime më të mëdha për shëndetin kardiovaskular.



