TRONDITET BRITANIA/ Ish-deputetja konservatore Anne Widdecombe gjendet e pajetë në banesë, policia arreston 28-vjeçarin

Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia britanike nën dyshimin për vrasjen e ish-deputetes dhe ish-ministres konservatore Anne Widdecombe, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj në Devon.
Policia e Devon dhe Cornwall bëri të ditur se i dyshuari u ndalua të shtunën në mbrëmje në South Yorkshire dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa në operacion morën pjesë edhe forcat kundër terrorizmit dhe policia lokale.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, por deri tani nuk ka prova që vdekja e ish-ministres të ketë lidhje me terrorizmin apo motive politike.
Anne Widdecombe, 78 vjeçe, u gjet e vdekur të enjten në shtëpinë e saj në Haytor. Hetuesit dyshojnë se ajo kishte ndërruar jetë rreth një ditë përpara se trupi i saj të zbulohej, ndërsa në trupin e saj janë konstatuar plagë të rënda.
Ky është arrestimi i dytë gjatë hetimeve. Një 26-vjeçar u ndalua më herët, por më pas u lirua dhe nuk konsiderohet më i përfshirë në ngjarje.
Widdecombe ishte një nga figurat më të njohura të politikës britanike.
Ajo shërbeu si deputete e Partisë Konservatore për më shumë se dy dekada, nga viti 1987 deri në vitin 2010, dhe mbajti poste ministrore në qeverinë konservatore.
Pas largimit nga parlamenti, ajo iu bashkua Partisë Brexit të Nigel Farage dhe në vitin 2019 u zgjodh eurodeputete. Më vonë u angazhua edhe me Reform UK për çështjet e emigracionit.
Vdekja e saj ka sjellë reagime nga figura të ndryshme politike në Britani, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.


