Irani: Ngushtica e Hormuzit vlen më shumë se dhjetëra b*mba atomike

Irani e ka cilësuar Ngushticën e Hormuzit si një nga asetet më të rëndësishme strategjike të vendit, duke e vendosur atë përpara edhe programit bërthamor.
Deklarata vjen në një kohë kur programi bërthamor iranian vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Këshilltari ushtarak i Liderit Suprem të Iranit, Mohsen Rezaei, njëherësh ish-komandant i Gardës Revolucionare, tha se Ngushtica e Hormuzit ka një rëndësi më të madhe për Republikën Islamike sesa programi i saj bërthamor.
Ai u shpreh se ky kalim strategjik është "më i rëndësishëm se dhjetëra bomba atomike" dhe se Irani do ta mbrojë atë.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit, ndaj çdo zhvillim që lidhet me të ndiqet me vëmendje nga tregjet dhe fuqitë ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe vendet perëndimore vijojnë të dyshojnë se programi bërthamor i Iranit ka objektiva ushtarake. Nga ana tjetër, Teherani i mohon këto akuza dhe këmbëngul se aktiviteti i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile dhe lidhet me prodhimin e energjisë.


