Tajfuni Bavi godet Kinën, afro 2 milionë banorë evakuohen nga zonat e rrezikuara

Një tajfun i fuqishëm ka goditur Kinën, duke detyruar autoritetet të evakuojnë afro dy milionë banorë nga zonat më të rrezikuara. Bëhet fjalë për tajfunin e dytë që prek vendin brenda një jave.
Tajfuni Bavi, i cili shtrihet në rreth 1.000 kilometra në pikën e tij më të gjerë, mbërriti fillimisht në qytetin bregdetar Taizhou të shtunën në mbrëmje, përpara se të prekte për herë të dytë bregdetin në Wenzhou rreth mesnatës.
Pasi kaloi mbi një zinxhir ishujsh në Japoni, stuhia solli reshje të dendura shiu edhe në Tajvan. Edhe pse është dobësuar në një stuhi të fortë tropikale, ajo vazhdon të paraqesë rrezik për shkak të sasisë së madhe të lagështisë dhe reshjeve që e shoqërojnë.
Sipas mediave shtetërore kineze, qendra e tajfunit arriti të dielën në mëngjes në qytetin Hangzhou, në provincën Zhejiang. Parashikimet tregojnë se stuhia do të humbasë gradualisht intensitet ndërsa lëviz drejt veriperëndimit.
Bavi u formua fillimisht si një supertajfun, duke goditur Guamin dhe Ishujt Mariana Veriore me erëra që arritën shpejtësinë deri në 290 kilometra në orë.
Më pas ai u dobësua gjatë lëvizjes në Paqësor, por vazhdoi të shkaktonte probleme në ishujt Sakishima të Japonisë, ku të paktën pesë persona mbetën të plagosur dhe mijëra banorë mbetën pa energji elektrike.
Tajvani nuk u godit drejtpërdrejt nga stuhia, por reshjet e dendura detyruan mijëra banorë të largoheshin nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet paralajmëruan për rrezik të lartë të rrëshqitjeve të dheut.


