Burri me maskë në funeralin e Ali Khameneit ngjalli dyshime, zbulohet identiteti i tij

Pamjet e një burri me fytyrën e mbuluar gjatë funeralit të Ali Khameneit kanë ngjallur spekulime në rrjetet sociale, pasi shumë përdorues dyshuan se bëhej fjalë për Mojtaba Khamenein, i përfolur si pasardhësi i Liderit Suprem të Iranit. Megjithatë, raportimet e fundit hedhin poshtë këtë pretendim.
Gjatë ceremonisë mortore, burri i maskuar u pa në rreshtin e parë duke marrë pjesë në zhvillimin e riteve fetare. Ai mbante një kapelë bejsbolli dhe një maskë të zezë që i mbulonte fytyrën, çka bëri që pamjet të përhapeshin me shpejtësi dhe të nxisnin aludime për identitetin e tij.
Sipas medias Iran International, personi në fjalë nuk ishte Mojtaba Khamenei, por Mohammad Javad Khamenei, nipi më i madh i Ali Khameneit.
Raporti bën me dije se Mohammad Javad Khamenei kishte pësuar djegie të rënda në fytyrë gjatë sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite të 28 shkurtit, në të cilat mbeti i vrarë Ali Khamenei. Sipas të njëjtave raportime, edhe Mojtaba Khamenei u plagos rëndë dhe pësoi dëmtime në fytyrë gjatë të njëjtit sulm.
Mohammad Javad Khamenei është djali i Mostafa Khameneit, djalit të madh të Ali Khameneit, dhe konsiderohet pjesë e brezit të ri të familjes së liderit iranian.
Ali Khamenei u varros të enjten pas një ceremonie mortore gjashtëditore, për të cilën mediat shtetërore iraniane raportuan se mblodhi deri në 43 milionë pjesëmarrës në të gjithë vendin.
Ndërkohë, Mojtaba Khamenei publikoi të shtunën një mesazh në platformën Telegram, ku u zotua se do të hakmerrej për vrasjen e të atit, duke sinjalizuar se tensionet në rajon mbeten të larta.


