GODITET BANDA EKUADORIANE! “Chone” akuzohet për sulme ndaj civilëve dhe zyrtarëve

Shtetet e Bashkuara kanë shpallur bandën kriminale ekuadoriane “Chone Killers” organizatë të huaj terroriste, duke e përfshirë gjithashtu në listën e terroristëve globalë të sanksionuar. Uashingtoni e akuzon grupin për sulme të përgjakshme ndaj civilëve dhe zyrtarëve në Ekuador, ndërsa autoritetet ekuadoriane e kanë përshëndetur vendimin si një mbështetje të fortë në luftën kundër krimit të organizuar.

GODITET BANDA EKUADORIANE! “Chone” akuzohet për sulme ndaj

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një tjetër hap të fortë në luftën kundër krimit të organizuar në Amerikën Latine. Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur bandën ekuadoriane “Chone Killers” organizatë të huaj terroriste, duke vendosur sanksione të reja ndaj grupit që akuzohet për një seri sulmesh të dhunshme në Ekuador.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se banda është përfshirë edhe në listën e “Terroristëve Globalisht të Përcaktuar”, duke theksuar se grupi ka shënjestruar civilë, forca të rendit dhe zyrtarë qeveritarë, përfshirë edhe atentate ndaj figurave të njohura publike.

Vendimi është pjesë e strategjisë së administratës amerikane për të goditur organizatat kriminale që veprojnë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas Uashingtonit, “Chone Killers” bashkëpunon me grupe të tjera kriminale të rajonit, mes tyre banda venezueliane “Tren de Aragua” dhe karteli meksikan “Sinaloa”, duke krijuar rrjete të fuqishme të trafikut të drogës dhe financimit të aktiviteteve kriminale.

Autoritetet amerikane i kanë cilësuar këto organizata si “narko-terroriste”, duke argumentuar se ato përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Qeveria e Ekuadorit e ka mirëpritur vendimin e SHBA-ve, duke e cilësuar atë një mbështetje të rëndësishme për përpjekjet e presidentit Daniel Noboa në luftën kundër bandave kriminale.

Prej muajsh, Ekuadori po përballet me një valë të fortë dhune të lidhur me trafikun e drogës, ndërsa grupet kriminale luftojnë për kontrollin e rrugëve të transportit drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Përballë kësaj situate, autoritetet ekuadoriane kanë vendosur masa të jashtëzakonshme sigurie, përfshirë shtetrrethime dhe angazhimin e ushtrisë në disa provinca, në përpjekje për të rikthyer kontrollin dhe për të frenuar fuqinë e organizatave kriminale

EMISIONET