BE GJOBË TË MAJME GOOGLE! Gjykata Evropiane lë në fuqi shifrën rekord prej 4.1 miliardë eurosh
Google ka humbur betejën përfundimtare ligjore kundër gjobës rekord prej 4.1 miliardë eurosh të vendosur nga Komisioni Evropian. Gjykata e Drejtësisë e BE-së la në fuqi vendimin, duke konfirmuar se kompania kishte abuzuar me pozitën dominuese përmes sistemit operativ Android.

Një tjetër betejë ligjore mes Bashkimit Evropian dhe gjigantëve të teknologjisë është mbyllur në favor të Brukselit. Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian ka lënë në fuqi gjobën rekord prej 4.1 miliardë eurosh ndaj Google, duke rrëzuar ankimimin e kompanisë për çështjen që lidhet me sistemin operativ Android.
Çështja daton që nga viti 2018, kur Komisioni Evropian vendosi një gjobë prej 4.34 miliardë eurosh, me argumentin se Google kishte detyruar prodhuesit e telefonave të instalonin paraprakisht aplikacionet Google Search, Chrome dhe Google Play në pajisjet Android, si dhe kishte kufizuar përdorimin e versioneve rivale të sistemit operativ Android.
Në vitin 2022, një gjykatë më e ulët e Bashkimit Evropian e uli gjobën në 4.1 miliardë euro, por Google dhe kompania mëmë, Alphabet, e apeluan vendimin në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian. Gjykata rrëzoi apelimin dhe konfirmoi se Google kishte abuzuar me pozitën dominuese në tregun e sistemeve operative për telefonat inteligjentë.
Në reagimin e saj, Google deklaroi se vendimi nuk merr parasysh investimet e kompanisë për ta mbajtur Android një platformë të hapur, të ndërveprueshme dhe falas. Kompania theksoi gjithashtu se marrëveshjet e saj janë përshtatur me kërkesat e Bashkimit Evropian që prej vitit 2018 dhe se do të vazhdojë të fokusohet te inovacioni dhe zhvillimi.
Me këtë vendim, gjobat e vendosura ndaj Google nga Bashkimi Evropian për shkelje të rregullave të konkurrencës arrijnë në afro 11 miliardë euro. Ndërkohë, kompania pritet të përballet edhe me hetime të tjera sipas rregullave të reja të Aktit për Tregjet Digjitale, që synon të kufizojë fuqinë e kompanive më të mëdha teknologjike.


