Erdogan përkujton viktimat e Srebrenicës: Nuk do ta harrojmë kurrë këtë tragjedi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka përkujtuar viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në 31-vjetorin e masakrës, duke e cilësuar atë një nga tragjeditë më të rënda të historisë moderne.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit turk shprehu respektin për viktimat boshnjake dhe solidaritetin me familjet e tyre, duke ritheksuar se Srebrenica nuk duhet të harrohet.
"Në 31-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, një nga gjenocidet më brutale në histori, kujtoj me pikëllim dhe mëshirë të gjithë vëllezërit dhe motrat tona boshnjake që u masakruan. Nderoj me respekt kujtimin e martirëve tanë dhe lutem për durim dhe forcë për familjet dhe të dashurit e tyre. Nuk do ta harrojmë kurrë Srebrenicën", shkroi Erdogan.
Mesazhi i presidentit turk vjen në ditën kur në Bosnje dhe Hercegovinë zhvillohen ceremoni përkujtimore në nder të mijëra viktimave të masakrës së Srebrenicës, e njohur ndërkombëtarisht si gjenocidi më i rëndë i kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.


