Biden i kërkon botës të bashkohet kundër Rusisë

Biden i kërkon botës të bashkohet kundër Rusisë

Presidenti amerikan, Joe Biden u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të qëndrojnë afër Ukrainës teksa ajo e lufton pushtimin rus, me shpresën se edhe republikanët në Kongresin amerikan do të mbajnë shënime.

“Rusia beson se bota do të lodhet dhe do ta lejojë atë që të jetë brutale ndaj Ukrainës, pa ndonjë pasojë”, ka thënë Biden në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Nëse e lejojmë Ukrainën që të gërmohet, a është e sigurt pavarësia e ndonjë vendi?”

Biden, demokrat, është duke bërë vazhdimisht thirrje që aleatët e Shteteve të Bashkuara ta mbështesin Ukrainën, me arsyetimin se bota duhet t’i dërgojë sinjal presidentit rus, Vladimir Putin se ai nuk do të mund t’i bëjë ballë Perëndimit.

Fjalimi i tij është përcjell me duartrokitje kur ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë me Ukrainën në luftën e saj për liri.

“Rusia është ajo që e mban përgjegjësinë për këtë luftë. Rusia e ka forcën që ta ndalë këtë luftë menjëherë”.

Biden është përballur me kritika nga disa republikanë, të cilët dëshirojnë që Shtetet e Bashkuara të shpenzojnë më pak para për këtë luftë.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kandidati kryesor për ta fituar nominimin e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, është zotuar se do t’i japë fund luftës me shpejtësi, nëse kthehet në pushtet.

Përgjatë fjalimit të tij Biden ka thënë se e kupton detyrën që e ka shteti i tij në këtë moment kritik për botën.

“Shtetet e Bashkuara synojnë një botë më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë njerëzit, sepse ne e dimë që e ardhmja jonë është e lidhur me tuajën. Asnjë shtet nuk mund të përballet me sfidat e të sotmes, vetëm”, ka thënë ai.

Biden e ka shfrytëzuar fjalimin e tij për të ofruar siguri për konkurrencën intensive në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, pas paralajmërimeve të disa ekspertëve se bota mund të përballet me një luftë të ftohtë.

“Kur është fjala për Kinën, dua të jem i qartë dhe konsistent. Ne synojmë që ta menaxhojnë konkurrencën mes dy vendeve me përgjegjësi, ashtu që të mos rrëshqasë në konflikt”, ka thënë Biden.

Zëvendëspresidenti kinez, Han Zheng është takuar të hënën me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në margjina të Asamblesë së OKB-së.

Ky ka qenë takimi i dytë i nivelit të lartë mes dy vendeve, disa ditë pasi fuqitë botërore kanë thënë se synojnë që tensionet t’i mbajnë nën kontroll.

Mes tjerash, presidenti amerikan ka thënë se inteligjenca artificiale duhet të jetë “e sigurt” para se në të të ketë qasje publiku. Ai ka thënë se qeveritë duhet ta menaxhojnë këtë teknologji dhe jo e kundërta.

“Ne duhet të sigurohemi që i përdorim këto pajisje si diçka që na rrisin mundësitë, dhe jo si armë për shtypje”.

Javën e kaluar, liderët e teknologjisë, Elon Musk dhe Mark Zuckerberg, janë takuar në Kongresin amerikan për të biseduar për rregulloret teknologjike.

Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke i trajtuar ndryshimet klimatike si “kërcënim ekzistencial”.

Duke i renditur disa katastrofa natyrore – valë të të nxehtit në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, zjarret pyjore në SHBA dhe Evropë, thatësinë në Afrikë dhe përmbytjet në Libi – Biden ka thënë se këto të gjitha së bashku japin shenjë se çfarë e pret botën nëse nuk ulet varësia nga lëndët djegëse të papërpunuara.

“Prej ditës së parë të administratës sime në Shtetet e Bashkuara, kjo krizë është trajtuar si kërcënim ekzistencial, jo vetëm për ne, por për gjithë njerëzimin”.

Për shkak të prezencës së madhe të figurave publike në Asamble, ky organizim shihet edhe si mundësi që liderët të mbajnë takime me njëri-tjetrën.

Megjithatë, në Asamblenë e këtij viti nuk marrin pjesë: presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenti kinez, Xi Jinping, presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri britanik, Rishi Sunak./REL

EMISIONET