“Na vodhën kualifikimin”/ Norvegjia eliminohet nga Anglia, "shpërthen" polemika për arbitrin Turpin

Kualifikimi i Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 është shoqëruar me polemika të mëdha, pasi Norvegjia ka ngritur dyshime për disa vendime të arbitrit francez Clement Turpin gjatë përballjes çerekfinale.
Në qendër të debatit është goli i parë i Anglisë, i shënuar nga Jude Bellingham. Sipas palës norvegjeze, aksioni duhej të ishte ndërprerë pasi topi, pas një rivënieje nga portieri Orjan Nyland, dyshohet se preku kamerën ajrore të stadiumit dhe ndryshoi trajektoren.
Anglia përfitoi nga situata, rikuperoi topin dhe ndërtoi aksionin që solli golin e barazimit. Më pas, Bellingham realizoi edhe golin e dytë në kohën shtesë, duke i dhënë skuadrës angleze fitoren dhe biletën për në gjysmëfinale.
Pas eliminimit reagoi edhe Alfie Haaland, babai i sulmuesit norvegjez Erling Haaland, i cili kritikoi vendimet e gjyqtarit përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Vërtet? Ju shpëtoi arbitri. Shpresoj ta fitoni Botërorin, por sot ndihem i vjedhur”, shkroi ai.
Sipas Alfie Haaland, Norvegjia u dëmtua nga dy episode të rëndësishme gjatë ndeshjes. Ai ngriti dyshime si për golin e parë të Anglisë, ashtu edhe për anulimin e një goli të Erling Haaland.
Përveç polemikave me arbitrin, ai komentoi edhe një rast të Alexander Sorloth në një kundërsulm, duke vlerësuar se sulmuesi duhej të kishte zgjedhur pasimin në vend të goditjes individuale.
Eliminimi i Norvegjisë ka lënë pas shumë diskutime, ndërsa Anglia vijon rrugëtimin në Botëror me synimin për të siguruar një vend në finale. Në gjysmëfinale, “Tre Luanët” do të përballen me Argjentinën, ndërsa dueli tjetër do të jetë Francë-Spanjë.
Really? Saved bye the referee. Hope you win the WC now. But feel we got robbed today. https://t.co/Lplf9uyOzM
— Alfie Haaland (@alfiehaaland) July 12, 2026


