Rrënjët e dhunës tek të rinjtë/ Hida: Papjekuria emocionale dhe humbja e rolit të komunitetit po ndikojnë tek adoleshentët

Rastet e dhunës mes të rinjve dhe përfshirja e të miturve në ngjarje të rënda janë një fenomen që kërkon analizë të thellë sociale dhe psikologjike. Psikologia Manolita Hida, në një intervistë për “Ora News”, u shpreh se pas sjelljeve problematike tek adoleshentët shpesh fshihen faktorë të shumtë, që lidhen me zhvillimin emocional, familjen dhe mjedisin ku ata rriten.
Sipas psikologes, një nga elementët kryesorë që duhet kuptuar është fakti se adoleshenti ndodhet në një fazë zhvillimi ku trupi është i formuar fizikisht, por aftësia për të kontrolluar emocionet dhe për të marrë vendime të pjekura ende nuk është zhvilluar plotësisht.
“Adoleshenti është trupi i një të rrituri në mendjen e një fëmije”, u shpreh Hida, duke theksuar se procesi i pjekurisë së plotë vazhdon deri në moshën 21-25 vjeç.
Sipas saj, emocionet tek të rinjtë janë të forta dhe impulsive, ndërsa pjesa e kontrollit dhe arsyetimit nuk funksionon ende në të njëjtin nivel si tek një i rritur.
Psikologia solli në vëmendje edhe ndryshimin mes mënyrës se si rriteshin fëmijët dikur dhe realitetit të sotëm. Ajo theksoi se në të kaluarën komuniteti, lagjja dhe marrëdhëniet mes fqinjëve kishin një rol të rëndësishëm në edukimin dhe kontrollin social të fëmijëve.
“Për të rritur një fëmijë është e nevojshme një lagje e tërë ose një fshat i tërë”, tha Hida, duke nënvizuar se kjo nuk është vetëm një shprehje simbolike, por një realitet që lidhet me ndikimin e mjedisit social.
Sipas saj, dikur fëmijët kishin më shumë hapësira për të luajtur së bashku, për të bashkëvepruar dhe për të mësuar nga njëri-tjetri, ndërsa sot izolimi social dhe mungesa e komunikimit mes fëmijëve kanë krijuar një realitet tjetër.
Hida e cilësoi këtë si humbjen e “laboratorit social ditor”, ku fëmijët mësonin të zgjidhnin konflikte, të bashkëpunonin dhe të kuptonin kufijtë e sjelljes së tyre.
Psikologia Manolita Hida theksoi se parandalimi i dhunës tek të rinjtë kërkon vëmendje jo vetëm ndaj sjelljes së tyre, por edhe ndaj faktorëve që ndikojnë në zhvillimin e tyre emocional dhe social. Sipas saj, familja, komuniteti dhe komunikimi i vazhdueshëm me fëmijët janë elementë kyç për të shmangur përshkallëzimin e situatave problematike.
Manolita Hida: Mirëmëngjes Lili dhe mirëmëngjes të gjithë ndjekësve tuaj sot Po. Kjo është e pashmangshme. Kjo është e pashmangshme prandaj ju pyeta si psikologe. Por gjithsesi si, gjithsesi dua edhe, edhe atë përjetimin si prind. T'ia nisim nga e para atëherë.
Profesionalisht kur shoh që të miturit përfshihen në raste në të cilat ata dëmtohen, vetë dëmtohen, apo dëmtojnë njëri-tjetrin, janë situata të cilat janë të dhimbshme, janë situata të cilat pyes veten se cilat kanë qenë ato sinjalet ose ato shenjat e para të cilat mund të kenë dhënë shkëndijat në lidhje me precipitimin e situatës në nivele të tilla dhe se çfarë ne si të rritur mund të kishim bërë për ta parandaluar, për ta shmangur një ngjarje të tillë ose për t'i minimizuar efektet tek viktimat e përfshira, tek vetë ata të cilët janë konsideruar si dhunues edhe pse është pjesa e prezumimit të pafajësisë deri sa të ketë një vendim gjykate, por patjetër që janë ngjarje jo të bukura.
Faktorët mund të jenë të shumë, por nëse ne do mbetemi tek mënyra sesi mendja jonë zhvillohet dhe trupi ynë zhvillohet, gjithmonë më ka pëlqyer ta theksoj në çdo intervistë këtë pjesë që, adoleshenti është trupi i një të rrituri në mendjen e një fëmije ende. Pra, teksa ne flasim për adoleshentët, ne duhet të kuptojmë që pavarësisht faktit që fizikisht kemi, duket sikur kemi një të rritur përballë nesh, kemi ende një fëmijë, i cili nga ana logjike nuk e ka arritur dot ende pjesën e formimit të plotë të arsyes.
Ndaj dhe jo më kot neve shikojmë që etapat zhvillimore shkojnë deri tek 21-25 vjeç për të konsideruar që individi është pjekur ose është formuar plotësisht. Përpos kësaj, pra pjesës së zhvillimit dhe faktit që emocionet rendin në trupin e një të rrituri por me mendjen e një fëmije. Duhet të shikojmë pak edhe pjesën që ne gjithmonë kemi thënë ose thuhet shpesh që për të rritur një fëmijë është e nevojshme një lagje e tërë ose një fshat i tërë.
Kjo është një thënie jo thjesht simbolike. Por, po t'i hyjmë analizës pak më thellë, gjëja e parë që ne duhet të ndajmë është fakti që fëmijët tanë sot rriten në një realitet që nuk është realiteti ynë.
Nëse më përpara ne jemi mësuar të jetojmë në komunitete, në lagje në të cilat fëmijët kanë qenë aty prezent në çdo kohë dhe çdo bllok pallatesh ka pasur një hapësirë sado e ngushtë që ishte, kishin një hapësirë në të cilën mblidheshin, luanin me njëri-tjetrin, ndërkohë edhe pjesa e fqinjësisë normalisht që ndihmonte pasi shpesh kjo pjesa e të qenurit me njëri-tjetrin, ndarja e ushqimeve, ndarja e kritikave, ndarja e këshillave, pjesa e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit e prindërve me njëri-tjetrin në rastet në të cilat tek fëmijët mund të viheshin re sjellje të caktuara, të cilat mund t'i bënin problem në mjedisin ku të jetoheshin, ndodhte pikërisht kjo pjesa e frenimit.
Pra, në këtë lloj konteksti, përpos faktit që kemi një element të zhvillimit, që është pjesa emocionale e cila është impuls i gjallë dhe pjesa e frenimit ende nuk funksionon siç duhet, ne kemi humbur dhe atë pjesën e laboratorit social ditor do të thoja unë, sepse nuk e kemi më këtë grupin e fëmijëve që luanin me njëri-tjetrin dhe sot po të dalësh të bësh thjesht një vëzhgim në vendin ku ne jetojmë, në pallatin ku jetojmë ose në bllokun ku jetojmë, kemi shumë pak fëmijë të cilët nuk dalin më të luajnë me njëri-tjetrin.

