Shorti i Champions League buzëqesh Egnatias / Kampionët shqiptarë sfidojnë Petrokubin, Drita përballet me Kauno Zalgiris

Shorti i Champions League buzëqesh Egnatias / Kampionët shqiptarë

Është hedhur shorti i turit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, duke përcaktuar rrugëtimin europian të kampionëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Fati ka qenë në anën e Egnatia, e cila do të përballet me moldavët e Petrocub Hîncești në raundin hapës të kompeticionit.

Skuadra nga Rrogozhina shmangu kundërshtarë më të vështirë si Kairat Almaty, Universitatea Craiova, Borac apo Vikingur, duke rritur shanset për të avancuar në turin e dytë të garës më prestigjioze për klube në Evropë.

Takimi i parë do të zhvillohet më 7 ose 8 korrik në Moldavi, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 14 ose 15 korrik në Rrogozhinë, ku Egnatia do të kërkojë të shfrytëzojë avantazhin e fushës së saj.

Ndërkohë, kampionët e Kosovës, FC Drita, do të kenë një sfidë më të komplikuar përballë lituanezëve të Kauno Žalgiris. Dueli konsiderohet i ekuilibruar, por me një nivel të lartë konkurrence për të dy skuadrat.

Shorti i këtij edicioni ka prodhuar edhe disa përballje interesante në të gjithë Evropën, ndërsa ekipet shqiptare dhe kosovare synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt fazave të mëtejshme të kompeticioneve europiane.

Tashmë vëmendja kalon në fushën e lojës, ku Egnatia dhe Drita do të kërkojnë të nisin me sukses aventurën e tyre në Champions League dhe të mbajnë gjallë ëndrrën europiane.

EMISIONET