Vritet në atentat ish-drejtori i Tensionit të lartë të Veriut, Saimir Jaku

Ish drejtori i Tensionit të lartë në Veri të vendit, është vrarë me armë zjarri nga dy persona të maskuar mëngjesin e sotëm. Nga plumbat ka mbetur i plagosur dhe një tjetër shtetas i cili ndodhej në tavolinë me 33 vjeçarin. Vrasja u shënua në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit, pak metra larg komisariatit, ku viktima, Saimir Jaku kishte shkuar të pinte një kafe.
Policia informon: Me datë 09.09.2016, në orën 09:40 është njoftuar se në Rrubik - Mirditë , në një lokal , ka ndodhur një vrasje. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore që kanë konstatuar se është vrarë me armë zjarri shtetasi Saimir Jaku, 33 vjeç, si dhe plagosur shtetasi Gj.P. 50 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmen e nevojshme mjekësore ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autorët me maska- Sipas burimeve në vendin e ngjarjes kanë qenë dy persona të maskuar dhe të armartosur, ku njëri prej tyre ka dalë nga automjeti tip Benz dhe ka qëlluar me bresheri automatiku në drejtim të Saimir Jakut. Ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga plumbat të cilët i kanë përshkuar disa pjesë të trupit.
Plagoset dhe miku i Jakut -Nga të shtënat e armes ka mbetur i plagosur edhe shtetasi Gjergj Prenga 50-vjeç nga Rrësheni i cili në momentin e ngjarjes ka qenë duke pire kafe me viktimën. Pasi ka marrë ndihmen e parë në spitalin e qytetit të Rrëshenit i plagosuri është dërguar për në spitalin e Traumes në Tiranë nga ku bëhet e ditur se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoret drejt Kurbinit- Nga veprimet e shpejta hetimore është bërë e mundur identifikimi i mjetit që dyshohet se kanë lëvizur autorët, tip Benz , i cili është lokalizuar duke u larguar në drejtim të fshatit Gallatë në Kurbin dhe po ndiqet nga policia" informoi policia në një njoftim zyrtar në orën 12:00
Disa te shoqeruar - Në lidhje me ngjarjen policia ka shoqëruar disa përsona të cilët kanë qenë të pranishëm brenda verandes së lokalit në kohën kur ka ndodhur vrasja. Gjithashtu policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të disa bizneseve aty pranë, por duke qenë se dy autoret kanë qenë të maskuar është e pamundur identifikimi i tyre.
Gjenden 20 gezhoja - Pas veprimeve të kryera në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 gëzhoja automatiku, ndërsa një grup i posaçëm hetimor ku bëjne pjesë edhe përfaqësues të prokurorisë është ngritur për të hetuar ngjarjen.
Dyshohet vrasje me pagese- Dyshimet e para të policisë flasin për një vrasje me pagesë, kjo duke ju referuar faktit se autorët e kanë njohur mirë zonën dhe kanë ndjekur të gjitha lëvizjes e viktimës.
NSH kreh zonen Policia pasi jep njoftimin zyrtar të ngjarjes informon se FNSh ne bashkëpunim me policinë ka nisur krehjen e zonës në një perimetër të gjerë në zonë ku dyshohet se mund të kapen autorët Nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me F.N.Sh-në, po bëhet krehja e zonës në një perimetër të gjerë në zona ku dyshohet se mund të kapen autorët. Janë ngritur gjithashtu pika kontrolli. Vazhdojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kush ishte Saimir Jaku- Saimir Jaku mbante postin e Drejtorit të Tensionit të Lartë për Veriun e vendit ndërsa nga 1 shtatori 2016 kishte kaluar në pozicionin e shefit të Sektorit të Asistencës Teknike Skada plus GIS në Drejtorinë Qëndrore të Tensionit të Lartë në Tiranë.
OSHEE: Drejtësia të zbardhë sa më parë vrasjen e Saimir Jakut
OSHEE bën thirrje për zbardhjen sa më parë të vrasjes së Saimir Jakut. Në një prononcim për median ku shprehen dhe ngushëllimet për familjen OSHEE kërkon të sqarojë se nga dëshmia penale e tij dhe formulari i dekriminalizimit Jaku nuk ka qenë i dënuar më parë për vepër penale
