Laborator droge mes lopëve, biznesmeni Çilotaj hetohet për pastrim parash

Laborator droge mes lopëve, biznesmeni Çilotaj hetohet për

Biznesmeni në kërkim, Vladimir Çilotaj, në pronën e të cilit pak ditë më parë u zbulua një laborator drogë ende në ndërtim është vënë nën hetim për pastrim parash. Prokuroria dyshon se ai ka përdorur disa aktivitete për të fshehur të ardhura nga veprimtari kriminale.

Prokuroria e Fierit ka nisur një hetim pasuror ndaj biznesmenit tashmë në kërkim policor Vladimir Çilotaj,  në pronat e të cilit u zbulua një laborator kanabisi ende në ndërtim.

Magazina, rezulton të jetë vetëm një nga pronat e Çilotajt i cili rezulton se ka disa aktivitete të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Por bazuar në të shkuarën e biznesmenit, dhe detajeve të reja që ka nxjerrë hetimi për laboratorin e drogës, prokuroria e Fierit ka ngritur dyshime se ai mund të ketë konsumuar veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Ai dyshohet që prej vitesh të ketë qenë i përfshirë në aktivitete të paligjshme, si në vjedhjen dhe përpunimin e paligjshëm të hidrokarbureve, gjë për të cilën është proceduar në vitin 2011 dhe së fundmi si i dyshuar në prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Një nga kompanitë e Çilotajt e kryen aktivitetin në zonën e Semanit dhe këtu lindin dyshimet e hetuesve, sepse në Seman u gjet edhe gomonia që do përdorej për trafik droge, në të njëjtën ditë që u zbulua laboratori.

Ndaj në funksion të hetimit prokuroria do të verifikojë çdo bilanc të aktiviteteve të familjes së tij.

Burimet theksojnë se nga hetimet e deritanishme janë ngritur dyshimet se Vladimir Çilotaj mund ta ketë përdorur biznesin e tij për të justifikuar dhe fshehur të ardhurat e përfituara nga veprimtari të paligjshme.

Në momentin e parë të ndërhyrjes në magazinën ku po ndërtohej i laboratori i drogës punonjësit dhe familjarët e biznesmenit, thanë se aty po ndërtohej një pulari.

Magazinë apo pulari? Punëtorët deklarata kontradiktore

Në momentin e ushtrimit të kontrollit në magazinën që ndodhet brenda territorit që administrohet nga Çilotaj, punëtorët fillimisht u kanë pohuar hetuesve se aty gjendej vetëm baza ushqimore për batëtinë që mbarështonin, gjedhë dhe derra që gjendeshin në stallën ngjitur.

Por, pasi hetuesit kanë kërkuar të verifikojnë në brendësi të magazinës së mbushur me bar në të dyja hyrjet e saj, mësohet se punëtorët u kanë thënë se me sa dinin aty po ndërtohej një pulari.

Nga kontrolli u konstatua se aty, në një sipërfaqe prej rreth 300 metrash katrorë, ishte krijuar një laborator me pajisje që dyshohet se do të shërbenin për kultivimin dhe përpunimin e cannabis sativas.

Gomonia çoi tek laboratori i drogës

Sipas ekstraktit historik në QKB, një tjetër vend ku kjo kompani ushtron aktivitetin është edhe fshati Seman, stalla 1 pranë lumit, vend pranë të cilit u gjet edhe gomonia nga policia kufitare, që çoi më pas në kontrollin e magazinës së Vladimir Çilotajt ku sipas policisë po ndërtohej një laborator për kultivimin e drogës.

Dyshohet se gomonia ishte siguruar për mundësimin e trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Policia dhe Prokuroria e Fierit po hetojnë për zbulimin e personave të tjerë që dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rrjet të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Laboratori i drogës u zbulua tre ditë më parë

Tre ditë më parë, policia e Fierit njoftoi zbulimin e një laboratori në ndërtim e sipër, i cili dyshohet se do të përdorej për kultivim të bimëve narkotike. Gjithashtu, në njoftim thuhej se në afërsi të fshatit Seman ishte sekuestruar edhe një mjet lundrues me gjatësi rreth 12 metra, i dyshuar për transport lëndësh narkotike.

Policia njoftoi se po punonte për kapjen e pranarit të magazinës, 50’vjeçarin nga Patosi, Vladimir Çilotaj. Ky i fundit ka qenë një emër i njohur për policinë e Fierit, pasi në janar të vitit 2011, ai u arrestua së bashku me ish-shefin e Komisariatit të Policisë në Patos të Fierit, Gerjan Kondi të akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në mënyrë të vazhdueshme realizonin vjedhje të karburanteve të llojit naftë bruto, në pronësi të Albpetrol-sha Fier.

Në territorin ku gjendet magazina ku po montohej laboratori i drogës, gjenden edhe çisternat e hidrokarbureve.


EMISIONET