SPAK kthen 5 dosje të Anti-KÇK për plotësim, OFL kërkon pronat e dy të dënuarve nga Elbasani
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK, i ka kthyer policisë së shtetit për plotësim me materiale pesë dosje të referuara deri tani në kuadër të operacionit Anti-KÇK. Organi i akuzës ka kërkuar prova shtesë për këto raste para se të dalë me një vendim, ndërkohë që policia ka kërkuar burimin e financiar të pronave nga dy persona nga Elbasani të dënuar për trafik droge në Angli. Klodian Çopja dhe Emiljan Shega kanë 48 orë kohë për të dorëzuar formularin në polici.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, i ka kthyer policisë së shtetit për plotësim pesë dosjet e para të operacionit Anti-KÇK.
Pasi kanë shqyrtuar materialet e referuara nga policia, prokurorët kanë vlerësuar se procedimet duhet të plotësohen me materiale tjera nga policia, para se të ketë një vendimmarrje.
Ndërkohë sektori i Operacionit Forca e Ligjit u dërgoi formularët për deklarimin e burimit të pasurive dy personave nga Elbasani të dënuar për trafikim lëndësh narkotike në Angli.
Zëdhënësja e policisë tha se Klodjan Çopja, është njëri prej personave të cilit i kërkohet që brenda 48 orëve të dorëzojë formularin me burimin financiar të pasurive që disponon.
Çopja është dënuar në Angli më 4 gusht 2017 me 17 vite burg me akuzën se drejtonte një rrjet të trafikut të kokainës. Shqiptari u arrestua në Greqi dhe më pas u ekstradua në Britani ku u gjykua për importimin e një sasie kokaine me vlerë 60 milionë paund drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Personi tjetër të cilit u është dërguar formulari për deklarimin e burimit të pasurive është Emiljan Shega. Ky shtetas është arrestuar në Britani si pjesë e një grupi kriminal që trafikoi lëndë narkotike me vlerë 10 milion paund.
Shqiptari është dënuar me 10 vjet burg ndërsa lënda narkotike u gjet e fshehur nën parketin e dyshemesë, të mbuluar me qilim, mbi të cilin ishte vendosur edhe një divan me qëllim maskimin e tyre.
