Arrestimi i Fullanit, Gaiani: Komentet pasi drejtësia të thotë fjalën e vet
Ambasadori Italian Massimo Gaiani preferon të jetë i rezervuar sa i takon cështjes së arrestimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani duke dashur të presë fillimisht drejtësinë të thotë fjalën e saj.
Paraditen e sotme nga Shkodra ndërsa merrte pjesë në një takim pune, me kryetarin e bashkisë Lorenc Luka dhe deputetin e Parlamentit Italian Fabio Porta, ambasadori Italian Massimo Gaiani iu pergjigj interesit të mediave lidhur me arrestimin e guvernatorit Fullani. Ai tha se të gjithë duhet të presim vendimin e gjykatës, ndërsa shtoi se sistemi bankar është i sigurtë.
"Ka një hetim dhe presim vendimin e gjykatës. Nuk mund të them asgjë tjetër, por rëndësi ka pavarësia dhe profesionaliteti i bankës së Shqipërisë, që është një institucion i rëndësishëm. Ajo që mund të them është se qetësia e tregjeve tregon që sistemi bankar është solid dhe funksionon normalisht," tha Gaiani.
I pyetur mbi bojkotin e opozitës, Gaiani rikujtoi se vendi i dialogut dhe bashkëpunimit është parlamenti.
"Kemi ftuar të gjitha partite politike të punojnë bashkë, të zhvillojnë dialogun. Vendi ku ndërtohet demokracia është parlamenti dhe prandaj ftojmë në çdo rast dhe bëjmë apel që ky dialog të përmirësohet dhe të krijohen mundësi për të bashkëpunuar bashkë," nënvizoi Gaiani.
Kryetari i Bashkisë Shkoder Lorenc Luka priti në një takim pune deputetin e Parlamentit Italian Fabio Porta. Së bashku me Ambasadorin Italian Gaiani dhe Presidentin e Focus Europe Cappai, deputeti Porta rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për Qytetin e Shkodrës, mbështetjen e Bashkisë me projekte të BE-së dhe ngushtimin e bashkëpunimit mes Bashkisë Shkodër dhe bashkive simotra në Itali.
(Ne foto: Ambasadori Gaiani në takim me kryetarin e bashkisë Shkodër)
