Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konfirmoi sot në detyrë drejtorin e Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit Gjovalin Loka.

Vendimi për ta kualifikuar atë pozitivisht në procesin e vettingut në polici u shpall pas një seance të gjatë në të cilën u evidentua edhe fakti se Loka, kishte qenë operativ i sigurimit të shtetit.

Anëtarët e komisionit, thanë në seancë se nga shqyrtimi i dokumenteve, kishin zbuluar se nga janari ’91 deri në qershor ’91 Gjovalin Loka ka qenë operativ i sigurimit të shtetit ndërkohë që në përgjigjet e tij ai nuk e ka deklaruar këtë fakt.

Nga ana tjetër, zyrtari i lartë i policisë, e pranoi të shkuarën e tij por tha se nuk kishte kryer veprime operative për llogari të sigurimit të shtetit.

Trupa e Komisionit të Vettingut: ”Nga janari ’91 deri në qershor ’91 Gjovalin Loka ka qenë operativ i sigurimit të shtetit. Ndërkohë në përgjigjet e tij ka deklaruar se nuk ka qenë. Ndërkohë deri në vitin 1990 ka qenë student në shkollën e sigurimit të shtetit. Komisioni i jashtëm do të vlerësojë nëse është apo jo kriter ndalues kjo situatë dhe gjetje ndaj z.Loka.”

Gjovalin Loka: ”Mos më diskriminoni për shkak të studimeve të asokohe. Nuk kam kontaktuar me asnjë nga bashkëpunëtoret e sigurimit të shtetit. Nuk kam dënuar apo keqtrajtuar apo rekrutuar askënd në sigurimin e shtetit.”

Pas kësaj përgjigje të drejtorit të Sigurisë Publike, komisioni i Jashtëm i vlerësimit bëri të ditur se autoriteti i Dosjeve ka dorëzuar një raport të dytë ku thote se z.Loka nuk ka firmosur asnjë dokument asokohe kur punonte si operativ në zonën e Bicajt në Kukës.

Gjatë seancës u evidentua edhe përjashtimi nga policia e shtetit për gjovalin lokën, por ai evidentoi faktin se me vendim gjykate kishte rifituar rikthimin në detyrë.

Ne foto: Gjovalin Loka, drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit ne veting

Gjatë procesit të vettingut, Komsioni i jashtëm i Vlerësimit e pyeti zyrtarin e policisë edhe për rolin e forcave të rendit gjatë protestave të opozitës vitin e kaluar duke evidentuar akuzat për tejkalim kompetencash dhe veprime të dhunshme të cilat Gjovalin Loka i pranoi se kanë ndodhur, por tha se kanë qenë raste sporadike.

Dua të them nga protesta e 16 shkurtit ishte më e madhja. Gjykoj se policia e shtetit ka bërë veprime ligjore e standarde dhe këtë e kanë konfirmuar edhe partnerët që na asistojnë. Kemi pasur raste sporadike kur është tejkaluar kompetenca nga polica. Kemi proceduar policë. Janë marrë  masa deri nga heqja e pagës ose përjashtim nga policia e shtetit.