Yuri Kim prezanton trupën 9 anëtarëshe të Gjykatës Kushtetuese, u uron suksese në zgjedhjen e kryetarit
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka zbardhur takimin një orësh që pati sot në Gjykatën Kushtetues
HNë një postim në twitter ajo e cilëson një moment të rëndësishëm të reformës në Drejtësi plotësimin me 9 anëtarë të kësaj gjykate, ndërsa u ka uruar suksese në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri.
Kim: Që nga dhjetori 2022, Gjykata Kushtetuese është kompletuar me 9 gjyqtarë. Arritje madhore për reformën në drejtësi, e cila mbështetet fuqishëm nga SHBA. Një nder të takoj të gjithë gjyqtarët sot për të uruar sukses në zgjedhjen e një shefi të ri dhe në dhënien e drejtësisë me pavarësi dhe integritet, në përputhje me ligjin.
Kushtetuese njoftoi se ka mbajtur një mbledhje të posaçme dhe ka vendosur fillimin e procedurave për zgjedhjen e Kryetarit të ri, duke i hapur rrugë edhe depozitimit të kandidaturave.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Seanca për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë.
Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave.
Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, Kryetari caktohet me short.
Procedura e zhvillimit të shortit parashikohet me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve. Kryetari i zgjedhur njofton Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit.