Western Balkans University mirëpret ICPI 2026, dy ditë diskutime shkencore me ekspertë ndërkombëtarë

Western Balkans University, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Periodontologjisë dhe Implantologjisë, solli në Tiranë Konferencën Ndërkombëtare të Periodontologjisë dhe Implantologjisë, ICPI 2026, duke bërë bashkë akademikë, klinicistë, studiues, profesionistë të shëndetit oral dhe ekspertë ndërkombëtarë.

Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Western Balkans University, u shpreh se organizimi i ICPI 2026 dëshmon rolin në rritje të universitetit në zhvillimin e edukimit dhe kërkimit shkencor në fushën e shkencave dentare.

“Western Balkans University synon të jetë një qendër e rëndësishme akademike dhe shkencore në rajon. Përmes konferencave të tilla ndërkombëtare, ne krijojmë ura bashkëpunimi mes universitetit, ekspertëve ndërkombëtarë, profesionistëve të shëndetit dhe studentëve tanë.”-u shpreh Gjana.

Assoc. Prof. Dr. Brunilda Gashi Cenkoglu, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë Dentare në Western Balkans University, theksoi rëndësinë shkencore dhe profesionale të konferencës.

“ICPI 2026 është një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, për prezantimin e qasjeve më bashkëkohore klinike dhe për forcimin e bashkëpunimit profesional në periodontologji dhe implantologji. Kjo konferencë sjell pranë komunitetit tonë akademik ekspertizën ndërkombëtare dhe përvojën klinike të nivelit të lartë.”-tha ajo.

Assoc. Prof. Dr. Silvana Bara, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë Dentare në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, vlerësoi rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm profesional.

“Zhvillimi i stomatologjisë moderne kërkon përditësim të vazhdueshëm shkencor dhe bashkëpunim mes institucioneve akademike dhe profesionistëve të fushës. ICPI 2026 është një mundësi e vlefshme për të diskutuar praktikat më të mira dhe për të rritur standardet e kujdesit ndaj pacientit.”-theksoi Bara.

Prof. Dr. Gil Alcoforado, nga University of Lisbon në Portugali, një prej lektorëve kryesorë të konferencës, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Konferenca të tilla krijojnë hapësirën e duhur për të ndarë përvojën klinike dhe kërkimin shkencor me kolegë nga vende të ndryshme. Bashkëpunimi me Western Balkans University është një mundësi e rëndësishme për të mbështetur shkëmbimin akademik dhe zhvillimin profesional në rajon.”-u shpreh profesori.

Për Western Balkans University, organizimi i kësaj konference përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e rolit të universitetit si qendër akademike dhe shkencore në fushën e shkencave dentare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.

Konferenca ndërkombëtare dyditore vijon edhe të shtunën në ambientet e Western Balkans University.

EMISIONET