Arrest në shtëpi për ish-hetuesin e Krimeve në Sarandë/ AMP: Ndërtoi pa leje një kat shtesë për hotel në pronën familjare

Arrest në shtëpi për ish-hetuesin e Krimeve në Sarandë/

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vendosur në qendër të hetimeve punonjësin e Policisë së Sarandës, Ajdin Islamaj, i cili në kohën e ngjarjes ushtronte detyrën e Specialistit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Në vijim të hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, AMP ka siguruar prova të reja në kuadër të procedimit penal nr. 304/2026.

Sipas aktit të ekspertimit teknik, në një pasuri në pronësi të babait të shtetasit nën hetim, ku edhe banon Ajdin Islamaj, janë kryer punime ndërtimore pa lejen e autoriteteve kompetente.

Punimet konsistojnë në shtimin e një kati mbi një objekt ekzistues dykatësh, si dhe ndërhyrje të tjera ndërtimore dhe rikonstruktive për ta përshtatur godinën në funksion akomodimi.

Ekspertiza ka arritur në përfundimin se struktura e realizuar përbën ndërtim të ri dhe kërkonte pajisjen me leje ndërtimi. Nga verifikimet nuk ka rezultuar asnjë leje e miratuar për realizimin e katit shtesë.

Hetimet kanë evidentuar se sipërfaqja e ndërtuar pa leje është jo më pak se 159 metra katrorë dhe ka funksion hotel.

Nga analiza e pamjeve satelitore dhe veprimet hetimore është provuar se punimet janë kryer gjatë vitit 2025, periudhë kur Ajdin Islamaj mbulonte zonën në kuadër të detyrës së tij.

Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë "Arrest në shtëpi", ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

EMISIONET