Vrasja vëllezërve Beqiri në Elbasan, të dënuarit drejt apelimit të vendimit të Shkallës së Parë të GJKKO-së

Pas tre dënimeve të përjetshme, një me 15 vite dhe dy me nga 25 vite heqje lirie për vrasjen e Nazer e Gentian Beqirit (babë e bir), burime pranë Prokurorisë së Posaçme bëjnë të ditur se do të apelohet vendimi i Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Lidhur me këtë dosje, ku SPAK arriti në konkluzione për ngritjen e akuzave, kishte si pikë kyçe, dëshminë e Ervis Bardhit, të cilin arriti ta kthejë në bashkëpunëtor të drejtësisë.

Dëshmia e tij, hodhi dritë mbi krimin e dyfishtë të 15 gushtit 2012, duke drejtuar gishtin e akuzës si porositës të tij, tek vëllezërit Ardian e Florenc Çapja, të cilët vetëm 13 ditë më parë u dënuan me burgim të përjetshëm.

Po ashtu përjetë u dënua Jorgu Leku, i cili ishte personi që ekzekutoi Nazer Beqirin.

Por ndryshe nga sa kërkoi Prokuroria e Posaçme, 6 vite, GJKKO dënoi me 15 të tilla bashkëpunëtorin e drejtësisë Ervis Bardhin, vendim me të cilën nuk pajtohet organi i akuzës.

Për këtë thonë burimet, po pret zbardhjen e arsyetimit të GJKKO-së, për ta ankimuar atë në Apelin e Posaçëm, pasi e konsideron marzhin e dënimit shumë të lartë, në raport me rolin që ka patur për zbardhjen e krimit.

Shkalla e Parë bashkë me emrat e mësipërm, dënoi edhe dy bashkëpunëtorët në krim, që kishin rolin e vëzhguesve, përkatësisht, nga 25 vite burgim dha për Klaidi Dokoli dhe Etien Çani

Në mbrojtjen e tij, Ardian Çapja që akuzohet si përositës, përveç avokatëve i dorëzoi togave të zeza edhe një material me 30 faqe ku kërkoi të shpallej i pafajshëm.

Ai ka treguar në Gjykatë se procesi ndaj tij, është montuar nga Prokuroria e Elbasanit.

Sipas tij, prokurori Ritvan Suka që po heton ngjarjen e shkurtit të 2016, ku mbetën të vrarë dy familjar të Çapjas dhe plagosjen e 8 të tjerëve, nuk po e zbardh sepse është përfshirë politika.

Në materialin e dorëzuar në Gjykatë, ai kundërshtonte të gjitha dëshmitë e  bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke pretenduar se është instruktuar nga Prokuroria e Elbasanit me qëllim përfshirjen e tij në këtë ngjarje.

Pritet që edhe të dënuarit të apelojnë gjithashtu vendimin e GJKKO-së pasi vazhdimisht ata kanë mohuar akuzat.

Shkak për vrasjen e dyfishtë të babë e bir në Elbasan, dyshohet të jetë hakmarrja pasi Gentian Beqiri dyshohej se ishte i përfshirë në ekzekutimin e Sokol Çapjas në vitin 2005.

spak edison vatnikaj gjkko florenc Çapja gentian beqiri nazer beqiri ardian Çapja jorgu leku ervis bardhi

EMISIONET