VIDEO/ “Ju falenderojmë që na shihni nga kafja!” Dështon protesta në Përrenjas, qytetari ironizon banorët: Me sa duket ju s'paskeni halle dhe probleme fare
Një tentativë për të organizuar një protestë qytetare në qytetin e Përrenjasit ka dështuar në mënyrë të papritur, pasi banorët lokalë kanë bojkotuar sheshin. Në vend që t'i bashkoheshin thirrjes për tubim, qytetarët kanë preferuar ta ndjekin ngjarjen nga kafenetë përreth, duke nxitur një reagim të ashpër dhe plot ironi nga organizatori i pranishëm.
Përmes një fjalimi të mbajtur përpara një sheshi thuajse të zbrazët, qytetari iu drejtua të tjerëve me nota të theksuara sarkazme.
U theksua fakti se banorët e zonës, me sa duket, nuk kanë asnjë hall apo problem, dhe se mungesa e pjesëmarrjes tregon se të gjithë janë në marrëdhënie pune.
Ai shtoi se kishte planifikuar t'i drejtonte disa fjalë kreut të pushtetit lokal, por e pa të pamundur për shkak të mungesës së dëgjuesve. Fjalimi vazhdoi me një falënderim cinik për ata që po vëzhgonin tubimin nga kafenetë dhe për Policinë e Shtetit.
"Mirëmbrëma, mirë se keni ardhur. Në fakt s'keni ardhur po s'ka problem, erdhëm ne. Erdhëm t'ju përshëndesim, thamë që si gjithë Shqipërinë ta organizonim një protestë dhe këtu në Përrenjas. Unë jam bir i kësaj ane. Po me sa duket ju s'paskeni halle dhe probleme fare. Unë kisha bërë mend që t'i thosha ca fjalë Nuriut, po s'ja them dot se ju qenkeni të gjithë në punë. Megjithatë ne ju falenderojmë shumë, që na shikoni dhe nga kafja kështu. Patjetër që do falenderojmë policinë e shtetit. Faleminderit shumë. Edhe diçka doja t'ju thoja. Nëse ndokush ju pyet, se pse, nga ishte Vilson Blloshmi apo Genc Leka apo Petrit Blloshmi, mos i tregoni që ishte nga kjo anë. Sepse ata do të dridhen në varr. Mos i tregoni se ata dhanë jetën për këtë anë. Ju faleminderit", u shpreh qytetari.

