Hoxha: 2500 shqiptarë protestuan në Këln, Shqipëria duhet të jetë e shqiptarëve!
Në një intervistë për "Ora News" nga Gjermania, Xhulian Hoxha ka folur për protestën e organizuar në Këln, ku sipas tij morën pjesë rreth 2500 shqiptarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Gjermanisë dhe vendeve përreth.
Hoxha u shpreh se protestuesit kishin udhëtuar me qindra kilometra për t’u bërë pjesë e tubimit, duke e cilësuar atë si një nga organizimet më domethënëse të diasporës shqiptare.
“Ishin aty në shesh 2500 shqiptarë. Të ardhur nga të gjitha zonat rreth e qark Këlnit, nga Dortmundi, Dyseldorfi, Aheni, Eseni dhe qytete të tjera. Ka pasur njerëz që janë nisur që në mëngjes vetëm për të qenë pjesë e protestës dhe për t’i thënë Ramës se duhet të japë dorëheqjen”, deklaroi ai.
Sipas Hoxhës, protesta nuk kishte si objektiv vetëm largimin e kryeministrit Edi Rama, por edhe nevojën për një ndryshim më të thellë politik në vend.
“Duhet të bojkotohen edhe forcat e tjera politike. Ne kërkojmë krijimin e një fryme të re politike, ku njerëzit dhe fëmijët tanë të kenë një të ardhme më të mirë”, tha ai.
Gjatë intervistës, Hoxha ngriti shqetësime lidhur me emigracionin, duke e cilësuar largimin masiv të shqiptarëve si një nga problemet më të mëdha të viteve të fundit. Ai tha se shumë familje janë detyruar të largohen për shkak të kushteve ekonomike, mungesës së shërbimeve dhe pamundësisë për të ndërtuar jetën në vendin e tyre.
“Unë kam dy prindër në Shqipëri që jetojnë vetëm. Një nga arsyet pse ata jetojnë vetëm është pikërisht emigrimi. Mund të kisha qenë pranë tyre, të punoja në vendin tim dhe fëmijët e mi të rriteshin në Shqipëri”, u shpreh ai.
Hoxha foli edhe për rastet që sipas tij kanë nxitur zemërimin e qytetarëve, duke përmendur protestat për çështjen e Zvërnecit dhe pretendimet për probleme me pronat.
“Zvërneci ishte pika që e derdhi gotën. Njerëzit panë atë që ndodhi dhe reaguan. Ka shumë qytetarë që ndihen të zhgënjyer nga mënyra se si janë trajtuar ndër vite”, tha ai.
Sipas Hoxhës, diaspora do të vazhdojë të ngrejë zërin për zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar se shqiptarët jashtë vendit mbeten të lidhur me atdheun dhe të interesuar për të ardhmen e tij.
“Shqipëria duhet të jetë gjithmonë e shqiptarëve. Ne duam që fëmijët tanë të njohin trojet e të parëve dhe të ndihen krenarë për origjinën e tyre”, përfundoi ai.
Xhulian Hoxha:Ishin aty në shesh 2500 shqiptarë dje. Të ardhur nga të gjitha zonat rreth e qark Këlnit, edhe nga Dortmundi, Dyseldorfi, Aheni, Eseni, ose nga Brygji. Njerëzit dje kanë kaluar kilometra për të ardhur aty në atë protestë që ishte shumë madhështore për shqiptarët.
Ka pasur njerëz që janë nisur që në mëngjes vetëm për të qenë pjesë e kësaj proteste, edhe për t'i thënë Ramës që vërtet duhet të dorëhiqet. Duhet t'i dëgjojë këta njerëz që dalin nëpër sheshet e të gjithë botës. Në çdo vend ku rreh një zemër shqiptari besoj që janë të gatshëm të dalin në çdo shesh për të protestuar. Por ashtu siç duhet të dorëhiqet Rama, duhet të bojkotohen edhe çdo forcë tjetër politike.
Ne kërkojmë frymën, krijimin e një fryme të re politike ku njerëzit edhe fëmijët tanë, sepse unë kam dy fëmijë personalisht.... Edhe fëmijët tanë të ndihen të lirë edhe ta dinë ku janë trojet e të parëve tanë. Jo kur të kthehen në Shqipëri t'i themi që shiko kjo ka qenë e jona, por që dikush që ka qenë në qeveri para shumë kohësh ia shiti një investitori të huaj. Shqipëria duhet të jetë gjithmonë e shqiptarëve.
Atëherë, qeverisja në këto 13 ose 14 vite që mund të themi, domethënë ka qenë një ndër qeverisjet, për mendimin tim, që ka ndihmuar në largimin e ajkës shqiptare jashtë shtetit. Dhe kjo gjë u kërkua tani sepse Zvërneci nuk ishte thjesht pika ku njerëzit thanë 'ok hajde se ne po protestojmë'.
Ishte ajo pika që u derdh, edhe njerëzit e panë vetë sepse nuk mund të shkosh t'i zaptosh tokën dikujt dhe të ta marrësh zvarrë. Ashtu siç u morën protestuesit atje. Nuk mund të shkosh me flamurin shqiptar në Zvërnec edhe të dali dikush e të thotë 'më hiq flamurin tënd'. Këto janë shumë gjëra që tek njerëzit kanë ndikuar ndër vite. Janë ndikuar ndër vite, njerëzve ju është prishur shtëpia edhe në Tiranë në zona shumë të ndryshme edhe në përgjithësi në të gjithë Shqipërinë. Njerëzve ju është prishur shtëpia, u është marrë shtëpia, toka, me synimin e një, ku di unë, për zhvillim ose nuk e di se si mund ta perceptojmë. D
omethënë, kjo qeveri thjesht ka ndihmuar në largimin e të gjithë shqiptarëve jashtë shtetit dhe aty ka pasur njerëz atë ditë, dje në protestë, vërtet njerëz që kishin ardhur edhe për shkak sepse kishin, biles ne patëm një rast që kishte dhe fëmijët sëmurë dhe i kishte fëmijët realisht në rrezik vdekjeje, edhe për shkak se nuk kishte gjetur zgjidhje, nuk gjente barna nëpër spitalet në Shqipëri, ishte detyruar të emigronte dhe të merrte kredi në shtetin tonë edhe këtej vetëm e vetëm për të kuruar fëmijët e saj.
Shiko problemet në Shqipëri janë të shumta. Unë po e marr personalisht, unë kam dy prindër në Shqipëri të cilët jetojnë vetëm dhe një ndër arsyet pse ata jetojnë vetëm është te qeverisja. Sepse shumë bukur unë mund të rrija, mund të punoja në shtetin tim dhe mund të isha afër prindërve të mi. Edhe fëmijët e mi mund të rriteshin në Shqipëri dhe të mësonin gjuhën shqiptare, e jo vajza ime për shembull .
Okej, ne e bëjmë pjesën tonë, t'i mësojmë fëmijëve tanë gjuhën shqipe patjetër, sepse e kemi trashëgimi këtë gjë dhe nuk duhet ta humbasim. Por ideja është që problematikat në Shqipëri janë të shumta, është korrupsioni. Edi Rama ka një zëvendëskryeministre që akuzohet për korrupsion, të cilës nuk i heq imunitetin, të cilën nuk e dorëzon. Kështu që një qeveri e cila mbron ministrat e vet edhe detyron njerëzit të largohen nga shteti nuk quhet më qeveri. Ajo është qeveri e oligarkëve, është qeveri e lidhur me mafian.

