VIDEO/ Dobi: Rreth 1200 të dënuar përfitojnë nga amnistia, përjashtohen subjektet e SPAK
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik diskutoi sot projektligjin “Për amnistinë”, të propozuar nga qeveria.
Zv.ministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, i pranishëm në Komision, tha se nga kjo amnisti përfitojnë rreth 1200 të dënuar, prej të cilëve 300 do të dalin menjëherë nga qelia, ndërsa rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje të dënimit.
Dobi theksoi se në fokus janë të miturit, si dhe gratë dhe vajzat në konflikt me ligjin.
“Fokusi është vendosur te gratë, të cilat kanë kritere specifike lehtësuese. Përfitojnë nga amnistia gratë që kanë mbetur dënim 4-5 vjet, krahasuar me kriterin për burrat që është deri në tre vite. Gratë mbi moshën 50-vjeçare përfitojnë nga amnistia”, tha Dobi.
Sipas Dobit, “janë 49 të mitur që përfitojnë në total dhe të dënuarat femra e gra janë 70”.
Sipas zv.ministrit të Drejtësisë, në projektligj është qartësuar se nuk përfitojnë të dënuarit nga GJKKO.
“Bëhet një qartësim shumë i madh dhe i mirëpërcaktuar i të gjithë subjekteve që nuk mund të jenë përfitues, që lidhen me rrezikshmëri të lartë shoqërore, si vrasjet, krimet ekonomike, korrupsioni dhe fusha të tjera të veprimit që lidhen me SPAK dhe GJKKO”, u shpreh Dobi.
Ai bëri të ditur se Shqipëria nuk ka probleme me mbipopullimin në sistemin e burgjeve. “Jemi pak mbi 90% të kapacitetit, pra rreth 10% vakanca, të cilat do të shtohen me këtë amnisti. Ne besojmë se ky është një instrument pozitiv, pasi motivon të dënuarit që kanë shfaqur një trend pozitiv në përmirësimin e sjelljes së tyre”, tha ai.
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, u shpreh se PD është gjithmonë pro dhënies së një mundësie qytetarëve.
“Qëndrimi politik i PD ka qenë koherent. Është i tillë për t’u dhënë mundësi qytetarëve. Një amnisti që duhet të favorizojë gratë dhe fëmijët në radhë të parë. Në Shqipëri sot kemi shumë persona në burg për varfëri, për vjedhje të vogla, për mospagim uji e dritash, apo për konflikte pronësie që në fund janë problematikë e mbartur e shtetit. Ne ta miratojmë këtë amnisti, por të mos u jepet mundësi të përfitojnë ata që kanë abuzuar me paranë publike apo që janë nën hetim nga SPAK, por mbrohen me kartona nga mazhoranca”, tha Gjekmarkaj.
Kryetarja e Komisionit, deputetja demokrate Jorida Tabaku, ngriti pyetjen se cili është qëndrimi për veprat që janë gjykuar nga GJKKO dhe hetuar nga SPAK. Sipas saj, amnistia nuk duhet të përdoret si propagandë nga mazhoranca.
Dobi u shpreh se vlerëson faktin që PD mbështet amnistinë, ndërsa theksoi se personat që i janë shmangur drejtësisë nuk janë përfitues të këtij projektligji.
“Veprimi i ligjit është saktësimi i subjekteve të amnistisë. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve kemi bërë një analizë të plotë të subjekteve që mund të jenë përfitues. Për trajtimin e personave që janë nën hetim nga SPAK, këta janë jashtë këtij ligji”, u shpreh Dobi.
Në fund të diskutimeve, Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin “Për amnistinë”


