Revoltë në Fier për vrasjen e fëmijës, familjarët e 8-vjeçarit nisin peticionin për dënimin me vdekje të autorit
Familjarët e 8-vjeçarit të vrarë në mënyrë shtazarake në Fier, të mbështetur dhe nga banorët e këtij qyteti kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje në Shqipëri, si e vetmja masë për të vënë drejtësi dhe për të kursyer viktima të tjera.Ata mësynë në gjykatë, gjatë caktimit të masës për autorin e krimit, çka e detyroi trupën të japë vendimin në mungesë të Klodian Çalamanit, i njohur si Monstra i Fierit.
Momente dramatike u shënuan brenda gjykatës së Fierit, ku këtë të enjte u dha masa e sigurisë për 38-vjeçarin Klodian Çalamani që rrëmbeu, vrau e groposi 8-vjeçarin Mateo Vasiu në fshatin Çreçalli.
Me nënën, babain dhe vëllain e madh në krye, familjarë të 8-vjeçarit mësynë në ambientet e Gjykatës, duke kërkuar sallën ku mbahej 38- vjeçari.
Në derë të gjykatës, nëna e të miturit në gjendje të rënduar psikologjike kërkoi hakun e të birit, ndërsa zbuloi detaje si fqinji që mbante me bukë i gënjeu e vrau fëmijën.
"Të varet në mes të Fierit, dua ta varin ta djegin. Më mori një foshnje, një 8-vjeçar, ma mori nga shkolla, ma gënjeu dhe mashtroi: I tha Mateo më sill një bukë në shtëpi. Ja çoi. I tha do të iki në shtëpi xhaxhai. Jo hajde futu brenda.
Ja futi me lopatë dhe e la të vdekur. Ma groposi, i vuri dhe nga lart dhe bënte sikur nuk kishte ndodhur gjë. Vajta në polici, më tha bërë kërkim, ku është Matua, e kërkoni se do ta gjeni më duket copa-copa, të vdekur.
Dua ta djegin në mes të Fierit, urgjentisht. Unë të jem e ngopur, ti them çunit e mora hakun si mama. Këtë dua, asgjë më shumë. Do presim, sot, nesër, pasnesër këtu jemi. Nuk mundem më si nënë".
Ndërsa babai i vogëlushit tha se ai tashmë është vetëm një trup që ecën.
"Më nisi çunin për bukë. Të vejë çuni ti marrë bukën, t'ja çojë bukën atij dhe të më vrasë, kjo më ka mbetur gozhdë. Të vdes unë tani dhe të shikoj çunin aty ku është . Jam i vdekur, nuk di çfarë të them".
Thirrjes së familjarëve për ti mbështetur, iu përgjigjen shpejt qytetarë të shumtë duke u grumbulluar para gjykatës.
Moshatarë të Mateos ishin aty po ashtu.
Gjyshër e prindër me lot në sy, thanë se aktin e Klodian Çalamanit nuk ka vendim gjykate që e dënon.
Nga ora 09:00 e mëngjesit deri në mesditë, oborri i gjykatës së Fierit ishte arenë e tensioneve dhe përplasjeve të policisë dhe familjarëve.
Në disa momente, protestuesit hodhën akuza ndaj bluve për sjelljen.
Përballë zemërimit të familjarëve e qytetarëve, policia dhe Gjykata e Fierit u tërhoqën dhe masa e sigurisë ndaj 38-vjeçarit të akuzuar për vrasjen iu dha në mungesë.
Vetë Klodian Çalamani kërkoi të mos përballet me familjarët e fëmijës që vrau.
Por burgu për vrasësin nuk sjell qetësi tek të afërmit e 8-vjeçarit, të cilët nga dera e Gjykatës së Fierit nisën një peticion për rikthimin e dënimit me vdekje për atë që tashmë është pagëzuar si Monstra i Fierit.
Fushata për ndryshimin ligjor sipas tyre do të shtrihet në të gjithë vendin.
Klodian Çalamani e vrau duke e goditur me kazmë në kokë e më e pas e varrosi në oborrin e banesës 8 vjeçarin Mateo Vasiu, pamja e fundit e të cilit do të mbetet kjo xhiro me biçikletë.