Urgjencat kardiake, Dr. Ceka: Rreth 100 turistë të huaj u trajtuan në QSUT

Urgjencat kardiake, Dr. Ceka: Rreth 100 turistë të huaj u trajtuan

 Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”  vijon të jetë një pikë referimi edhe për pacientët e huaj që përballen me emergjenca shëndetësore gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Dr. Astrit Ceka, mjek kardiolog pranë QSUT-së, nënvizon se ndërhyrja e shpejtë në rastet e infarktit të miokardit është vendimtare për shpëtimin e jetës.

“Sëmundja më e shpeshtë për të cilën pacientët paraqiten janë dhimbjet e gjoksit, të cilat karakterizohen sipas situatës klinike elektrokardiografike dhe bilancit të analizave. Pacientët e huaj që paraqiten në urgjencë dhe që kanë nevojë për shërbimin e  kardiologjisë janë shtuar”, tha Dr. Ceka.

Dr. Ceka informoi se “kemi bërë rreth 3 mijë ndërhyrje koronare, ndërhyrje me vendosjen e stendit ose me angloplasitkën koronare. 2500 janë raste që janë shtruar si urgjenca, nga ky numër 1700 kanë qenë pacientët që janë trajtuar në mënyrë urgjente nga reanimacioni, tek ky numër futet edhe numri i të huajve që ka qenë rreth 100 pacientë apo rreth 6% e numrit total të pacientëve që janë trajnuar nga reanimacioni”.

Më tej Dr. Ceka tha se “ne jemi shërbim që ofron ndërhyrjen koronare ose ndërhyrje akute për sëmundjen ishemike të zemrës 24 orë në 7 ditë të javës”.

“Në rastin e pacientëve të huaj që kanë ardhur kemi pasur rezultate shumë të mirë dhe mortaliteti në këtë grup pacientësh ka qenë zero”, tha ai.

Dr.Ceka solli rastin e një pacienti të huaj që ishte shtruar ditët e fundit në spital.

“Familjarët e pacientit kishin sikletin që janë në një vend të huaj dhe nuk dinin se në çfarë situate janë gjendur. Ne bëmë maksimumin tonë i bëmë të ndjeheshin mirë, të krijonin besim tek ne dhe rezultati i punës na i tregoi. Rreth një muaj pas daljes nga spitali pacienti ishte i lumtur për mënyrën e trajtimit”, tha Dr.Ceka.

Profesionalizmi i ekipeve mjekësore, teknologjia moderne dhe kujdesi i specializuar po forcojnë çdo ditë besimin ndaj shërbimeve të QSUT-së.

EMISIONET