Garantimi i energjisë në zonat turistike, OSHEE: Gati plani i masave dhe investimet në rrjet
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) tha se ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike në zonat turistike gjatë sezonit veror, si edhe për reagim të shpejtë ndaj çdo problematike që mund të shfaqet.
Paralelisht, OSHEE thotë se ka ndërmarrë investime në rrjetin e shpërndarjes, ku përfshihen 136 nënstacione, 126 kabina, 708 kilometra linja 35 kV, 120.15 kilometra linja të tensionit të mesëm dhe 48.3 kilometra linja të tensionit të ulët.
Koordinatori në OSSH, Llambi Miti, në një komunikim me mediet, tha se investimet janë shtrirë në të gjitha rajonet, në rrjetin e tensionit të mesëm dhe të ulët, duke përfshirë rikonstruksione të rrjetit, modernizime kabinash, ndërtim fiderash të rinj dhe fuqizim të transformatorëve.
OSHEE thotë se masat dhe investimet synojnë të sigurojnë që qytetarët, bizneset dhe turistët të kenë një furnizim sa më të sigurt dhe cilësor me energji elektrike gjatë gjithë sezonit turistik, nga jugu në veri.
