Frederiksen paralajmëron Evropën: Lufta nuk fitohet me fjalë, duhet të armatosemi përballë kërcënimit rus

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka bërë thirrje që vendet evropiane të forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake, duke paralajmëruar se siguria e kontinentit përballet me sfida serioze për shkak të kërcënimit rus.
Gjatë samitit të NATO-s që po zhvillohet në Ankara, Frederiksen deklaroi se Evropa duhet të investojë më shumë në mbrojtje dhe të jetë e përgatitur për skenarë të ndryshëm, ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës vijon.
“Evropa duhet të armatoset në mënyrë që të kujdesemi për njerëzit dhe shoqërinë tonë. Nga ana daneze, ne po ia dalim mbanë”, u shpreh kryeministrja daneze.
Ajo theksoi gjithashtu se Danimarka po përmbush objektivat e përcaktuara nga NATO dhe se forcimi i mbrojtjes është një domosdoshmëri për të gjitha vendet aleate.
Frederiksen vuri në dukje se lufta në Ukrainë nuk është vetëm një konflikt mes dy vendeve, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe lirinë e Evropës.
“Duhet të jetë e qartë për të gjithë se është gjithashtu liria dhe siguria jonë që ukrainasit po mbrojnë. Dhe ata nuk mund ta fitojnë luftën me fjalë”, deklaroi ajo.
Komentet e kryeministres daneze vijnë në një kohë kur vendet e NATO-s po diskutojnë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake, në një periudhë tensioni të lartë gjeopolitik në Evropë.


