E kërkuar nga Interpoli për sulmin në Monako/ Gruaja ukrainase gjendet e pajetë, dyshohet se ...

Një grua ukrainase e dyshuar si organizatore e sulmit me bombë ndaj një oligarku ukrainas në Monako është gjetur e vdekur pranë Kievit, ndërsa autoritetet dyshojnë se ajo mund të jetë vrarë me armë zjarri.
Sipas mediave ukrainase, trupi i Anastasiia Berezovskas, 39 vjeçe, u gjet në mbrëmjen e 6 korrikut rreth orës 23:00. Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë një konfirmim zyrtar për rrethanat e vdekjes së saj dhe hetimet vijojnë.
Berezovska ishte në kërkim ndërkombëtar pasi dyshohej se kishte vendosur një pajisje shpërthyese në hyrjen e një pallati luksoz në Monako më 29 qershor, ku jetonte milioneri ukrainas Vadym Yermolaiev.
Sipas hetuesve, ajo dyshohet se kishte vendosur bombën në hollin e ndërtesës dhe më pas ishte larguar në këmbë. Pajisja shpërthyese besohet se ishte aktivizuar përmes një telefoni celular.
Nga shpërthimi mbetën të plagosur rëndë Yermolaiev, partnerja e tij Anna Nasobina dhe djali i saj 13-vjeçar, Ariel. Nasobina pësoi dëmtime të rënda dhe humbi të dyja këmbët, ndërsa oligarku ukrainas mori plagë të shumta nga shpërthimi dhe copëzat metalike. Djali i mitur pësoi lëndime më të lehta.
Autoritetet e Monakos kishin lëshuar një Njoftim të Kuq të Interpolit për Berezovskën, e cila kërkohej për akuza që lidhen me tentativë vrasjeje, vendosje të një pajisjeje shpërthyese dhe komplot kriminal.
Zëvendësprokurori i Monakos, Morgan Raymond, kishte deklaruar më herët se e dyshuara ishte maskuar si burrë gjatë kryerjes së sulmit. Kamerat e sigurisë kishin regjistruar një person që i ngjante Berezovskës pranë pallatit luksoz, me kapelë të zezë dhe një çantë shpine ku dyshohet se ndodhej bomba.
Pas sulmit, hetuesit besojnë se ajo ka kaluar në Francë, Itali dhe më pas në Gjermani, ku policia kishte kontrolluar banesën e saj me qira në landin Hesse dhe kishte sekuestruar një automjet që dyshohej se ishte përdorur gjatë arratisjes.
Raportimet bëjnë të ditur se Berezovska ishte kthyer në Ukrainë më 1 korrik. Pas gjetjes së trupit të saj, dy persona dyshohet se janë arrestuar, përfshirë një oficer në detyrë të inteligjencës ushtarake ukrainase dhe një ish-oficer të zbatimit të ligjit, megjithëse këto të dhëna ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Hetuesit po shqyrtojnë disa pista për motivin e atentatit, ndërsa një prej hipotezave lidhet me një konflikt biznesi që përfshin një qendër telefonatash në qytetin ukrainas Dnipro, ku kishin interesa Yermolaiev dhe djali i tij.
Ndërkohë, disa kanale ruse në Telegram kanë ngritur pretendime se sulmi mund të ketë lidhje me Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU), por këto akuza nuk janë provuar nga autoritetet.
Hetimi ndërkombëtar për atentatin vijon, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin si motivin e sulmit ashtu edhe rrethanat misterioze të vdekjes së gruas së dyshuar.





