Bastisje në selitë e Napolit dhe Barit/ Luigi dhe Aurelio De Laurentiis nën hetim për bilancet dhe falimentimin e klubit

Bastisje në selitë e Napolit dhe Barit/ Luigi dhe Aurelio De

Një operacion i Guardia di Finanza ka tronditur futbollin italian, pasi janë kryer kontrolle në selitë e SSC Bari, SSC Napoli dhe kompanisë Filmauro, me urdhër të Prokurorisë së Barit.

Hetimi penal, i cili ndodhet ende në fazën paraprake, ka në qendër familjen De Laurentiis. Nën hetim janë Luigi De Laurentiis, administrator i vetëm i klubit nga Bari, dhe babai i tij Aurelio De Laurentiis, president i Napolit dhe përfaqësues ligjor i Filmauro.

Sipas autoriteteve italiane, dyshimet lidhen me deklarime të pasakta në bilancet financiare të Barit për vitin 2024, si edhe me akuzën për falimentim mashtrues në lidhje me procedurat e likuidimit gjyqësor të klubit për shkak të paaftësisë paguese.

Hetimi ka nisur pas analizimit të dokumenteve financiare të klubit, përfshirë bilancet, shënimet shpjeguese dhe raportet e administrimit. Sipas të dhënave paraprake të mbledhura nga hetuesit, Bari ka regjistruar humbje të vazhdueshme prej rreth 30 milionë eurosh gjatë periudhës 2019-2025, duke krijuar një situatë të rënduar financiare dhe detyrime të konsiderueshme.

Një nga çështjet kryesore që po shqyrtohet nga prokuroria lidhet me një operacion transferimi futbollisti mes dy klubeve nën kontrollin e familjes De Laurentiis.

Sipas hipotezës së hetuesve, Bari kishte blerë kartonin e një lojtari me një marrëveshje që i jepte klubit shitës përfitime nga një rishitje e ardhshme. Megjithatë, kur lojtari u transferua më pas te Napoli, në marrëveshje nuk ishte përfshirë një klauzolë që do t’i siguronte Barit një pjesë të fitimit të ardhshëm.

Më vonë, Napoli e shiti futbollistin me një vlerë më të lartë, duke realizuar një fitim të konsiderueshëm, çka sipas hetuesve mund t’i kishte sjellë përfitim edhe klubit të Barit.

Kontrollet janë shtrirë edhe ndaj tre drejtuesve sportivë dhe një agjenti futbolli, të cilët nuk janë aktualisht nën hetim, por kanë pasur rol në procesin e transferimit të lojtarit.

Prokuroria e Barit ka theksuar se procedimi është ende në fazën e hetimeve paraprake dhe se elementët e mbledhur deri tani nuk përbëjnë një konstatim përfundimtar fajësie.

Autoritetet italiane kanë rikujtuar se personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, ndërsa hetimet do të vijojnë për mbledhjen e provave të mëtejshme dhe sqarimin e plotë të çështjes.

EMISIONET