"Problem ngelet infrastruktura", Çela: Hetimet për pastrimin e parave dhe korrupsionin janë rritur
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, deklaroi se gjatë viteve të fundit ka pasur rritje të hetimeve për pastrimin e parave dhe korrupsionin. Duke folur gjatë prezantimit të veprimtarisë së institucionit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Çela theksoi se problem i madh është edhe numri i lartë i çështjeve të mosfilluara, që sipas tij arrin në rreth 17 mijë.
Gjithashtu Çela u shpreh se janë shtuar burimet njerëzore për të mbështetur punën e prokurorëve, por nevojitet rritje e mëtejshme e numrit të tyre. Sipas Prokurorit të Përgjithshëm, sistemi ka nevojë edhe për një mekanizëm më efikas kontrolli dhe vlerësimi për rritjen e performancës së prokurorëve.
"Shifrat që kemi paraqitur tregojnë rritje të hetimeve për pastrimin e parave dhe korrupsionin. Që nga viti 2020 kemi nxjerrë një udhëzim për ngritjen e strukturave të posaçme, po ashtu kemi memorandum edhe me Doganat, Tatimet, Policinë e Shtetit, AMF. Shifrat e përmirësuara janë fryt i këttyre nismave. Numri i çështjeve të mosfilluara është i madh, rreth 17 mijë çështje. Janë shtuar burimet njerëzore për t’ju ardhur në ndihmë prokurorëve, Numri i prokurorëve duhet të jetë më i lartë, cësthja e dytë është infrastruktura. Sepse s’kemi ku të vendosim prokurorët. Kemi bërë një projekt, por nuk është realizuar. Na është premtuar një godinë deri në 2030. Sipas vlerësimit tonë, mungon një mekanizëm efikas. Dy mekanizmat janë vlerësimi i prokurorëve, që bëhet çdo pesë vite, dhe inspektimi. Mekanizmi që do të rriste efikasitetin është inspektimi, jo si dikur, por duhet një fuqi inspektuese për çështjet që lidhen me Kuvendin”, tha Olsian Çela.

