U ekzekutua me 15 plumba një vit më parë/ Arrestohen vrasësit e Elson Kalaverit në Itali
Zbardhet vrasja e Elson Kalaverit në Itali për gjakmarrje
Lidhur me ekzekutimin e tij mësohet se 5 persona janë vënë në pranga, 2 prej të cilëve shqiptarë dhe 3 të tjerë janë shtetas italianë.
Siç shkruajnë mediat italiane, vrasja është porositur nga një shqiptar në shenjë hakmarrje për vdekjen e vëllait. “Ai vendosi të merrte një grup vrasësish për të zbatuar atë që quhet “Kanuni” në Shqipëri”, shkruan Today.
Arrestimet janë kryer mëngjesin e kësaj të premteje në Castelnuovo Val di Cecina (një fshat në Pisa), Napoli, Casoria (një fshat në Napoli), Pescara dhe Shqipëri.
Autoritetet italiane nuk japin emra, por thonë se ata janë përgjegjës, në role të ndryshme, për vrasjen me paramendim të Elson Kalaverit.
Operacioni i autoriteteve italiane u quajt “Kanuni” dhe erdhi si rezultat i hetimeve të thelluara nga Karabinierët dhe Prokuroria në Pisa.
Ngjarja
Elson Kalaveri, 36-vjeçari shqiptar u vra natën e 18 gustit të një viti më parë në Itali.
Kalaveri u vra në fshatin Castelnuovo Val di Cecina, Pisa, Itali teksa ishte pasagjer në mjetin e tij.
36-vjeçari u qëllua me 15 plumba nga tre persona të maskuar me kapuçë të zinj që u larguan me një mjet me targa gjermane nga skena e krimit.