"Të rinjtë u çuan më në fund nga kafenetë!"/ Xhemaliaj: Kjo që po ndodh në Shqipëri vjen një herë në 500 vjet! Shiu ishte bekim për ne

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin "Ora e Betit" në Ora News, Ilir Xhemaliaj e ka cilësuar lëvizjen qytetare përpara kryeministrisë si një ngjarje historike që "i vjen Shqipërisë një herë në 500 vjet", duke prerë çdo mundësi tërheqjeje deri në dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe largimin e plotë të kastës politike 30-vjeçare.

"Sot shiu ishte bekim për ne. Në radhë të parë sepse ne mendojmë që ato ishin lotët e Ramës që ranë, kështu që urojmë që sa më shpejt të japë dorëheqjen e të largohet.

Deri në dorëheqjen e Ramës, ne nuk tërhiqemi. Jo vetëm dorëheqjen e Ramës, po ne kemi artikuluar shumë qartë: Rama mbaroi, Berisha mbaroi. Ne duam ndërrimin e komplet kastës politike 30-vjeçare që ka uzurpuar gjithë kombin tonë.

Patjetër, kërkesat e para që bëmë edhe ato ishin pesë dhe ishin: dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje dhe vetëm dorëheqje. Patjetër të gjitha kërkesat që ne kemi bërë kanë dalë nga sheshi, këtu përpara kryeministrisë. Është populli që i ka artikuluar ato. Ne thjesht jemi ata që i kemi transmetuar le të themi dhe i kemi hedhur me shkrim që t'i shikojnë dhe t'i dëgjojnë të gjithë.

Si kjo protestë Shqipërisë i vjen njëherë në 500 vjet. Dhe këtu ka dalë gjithë populli shqiptar. Ke gjithë të rinjtë që më në fund janë çuar nga kafenetë, kanë dalë në shesh, kërkojnë të drejtat e tyre. Është një popull i gjithë që është çuar. Janë të gjitha shtresat e popullsisë: ke administratë, ke punonjës, ke të rinj, ke pensionistë, ke të gjitha shtresat e popullsisë. Pra, kjo është një protestë kombëtare, është një protestë popullore e cila kërkon vetëm rrëzimin e sistemit 30-vjeçar.

Marshimi është i përditshëm dhe është pjesa më e bukur e të gjithë protestës. Ju ftoj që ndoshta edhe ju kur mos të jeni në studio të vini t'i bashkoheni këtij marshimi, sepse është diçka historike, është diçka e papërsëritshme, është një energji shumë e madhe e popullit shqiptar që më në fund është çliruar", u shpreh Xhemaliaj.

EMISIONET