Josel Shtrepi: Rruga drejt elitës së futbollit kalon nga efikasiteti dhe jo vetëm investimet
Në emisionin “Ora e Botërorit” në “Ora News”, i ftuar ishte Josel Shtrepi, i cili u ndal te zhvillimet në futbollin ndërkombëtar, me fokus te surprizat në ndeshje, efektiviteti i skuadrave dhe investimet e vendeve si Kanadaja dhe SHBA.
Gjatë diskutimit u fol për mënyrën se si ekipet arrijnë të marrin rezultate edhe me pak raste, si dhe për natyrën e paparashikueshme të futbollit deri në minutat e fundit.
Në studio u sollën edhe shembuj nga ndeshje ku Bosnje-Hercegovina dhe Kanadaja kanë ndryshuar rezultatin gjatë lojës, duke mbajtur gjithçka të hapur deri në fund.
“Edhe pse nuk kanë shpejtësinë vrastare që duhet, ekipet si Kanadaja apo Amerika duhet të hyjnë në elitë duke krijuar skuadra që me pak raste arrijnë të marrin rezultatin. Futbolli ndryshon nga momenti në moment, edhe në minutën e 94-t apo 121-t. Prandaj është sport surprizash dhe investohet shumë në të.”-tha Shtrepi.
Në vijim u përmend edhe karakteri i Gjermanisë si skuadër që nuk dorëzohet lehtë në minutat e fundit të ndeshjes.


